• e premte, 05 dhjetor 2025

Osmani: Data 19 tetor është dita e transformimit politik - dita kur Çairi do të çlirohet pas 20 vitesh

Osmani: Data 19 tetor është dita e transformimit politik - dita kur Çairi do të çlirohet pas 20 vitesh

Shkup, 25 tetor 2025 (MIA) - Kandidati i koalicionit AKI për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sonte në fjalimin e tij theksoi rëndësinë historike të 19 tetorit, duke e quajtur atë “dita e transformimit politik” dhe një pikë kthese që do të përcaktojë të ardhmen e komunës, të shtetit dhe të kombit.

“Data 19 tetor do të mbetet e shënuar në histori si dita që përcaktoi drejtimin e shtetit, të kombit dhe të komunës sonë,” deklaroi Osmani, duke theksuar se çdo qytetar ka përgjegjësi të japë kontributin e vet në këtë proces ndryshimi.

Ai theksoi se zgjedhjet e 19 tetorit nuk janë një votim i zakonshëm, por një detyrë morale dhe njerëzore ndaj Çairit dhe banorëve të tij.

“Me një dalje në zgjedhje mund të sigurojmë katër fitore të mëdha, fitore që do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, të familjeve, të komunës sonë dhe të shtetit që të gjithë e duam”, shtoi Osmani.

Osmani kritikoi ashpër strukturën aktuale drejtuese të komunës, duke e përshkruar si një oligarki që sundon nga jashtë dhe pasurohet në kurriz të qytetarëve, duke ua marrë ujin, trotuaret, rrugët, frymën dhe ajrin.

“Çairi prej 20 vitesh është i robëruar nga ata që e mbytën komunën dhe nuk e lejuan të marrë frymë. Komuna, nga një shërbim për qytetarët, është shndërruar në një instrument të një klikë që u pasurua në kurriz të tyre”, tha Osmani.

Në fjalimin e tij, Osmani iu referua edhe pakënaqësisë qytetare, duke e përshkruar atë si “ndjenjë masive frustrimi dhe kryengritjeje,” të cilën, siç tha, e ka parë nga afër gjatë takimeve të rregullta me qytetarët e Çairit që kërkojnë ndryshim.

“Kjo është një mision i transformimit politik, i cili më 19 tetor do të hapë një kapitull të ri, një epokë të re për Çairin tonë. Për një Çair që nuk do të lejojmë më të jetë komuna më e paorganizuar në qytetin e Shkupit”, theksoi Osmani. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR