• e premte, 05 dhjetor 2025

Organizata e Shangait për Bashkëpunim i tubon liderët më të rëndësishëm euroaziatikë, duke i bashkuar forcat kundër Perëndimit

Organizata e Shangait për Bashkëpunim i tubon liderët më të rëndësishëm euroaziatikë, duke i bashkuar forcat kundër Perëndimit

Tjenxhin, 31 gusht 2025 (MIA) – Presidenti kinez Si Xhinping sot dhe nesër i tubon liderët e Rusisë, Indisë, Iranit dhe Turqisë, bashkë me njëzetë liderë të tjerë euroaziatikë, me qëllim që të tregojë se, në epokën e doganave amerikane dhe tensioneve gjeostrategjike, është i mundshëm model i ndryshëm ndërkombëtar i bashkëpunimit, me Kinën në qendër. 

Lideri i ekonomisë së dytë më të madhe në botë sonte do të organizojë pritje në Tjenxhin, qytet bregdetar në veri të vendit, për nder të pjesëmarrësve në samitin e Organizatës së Shangait për Bashkëpunim (SHOS), që do të mbahet nesër dhe është i pari pas kthimit të Donald Trampit në Shtëpinë e Bardhë. 

Shefat e shteteve dhe qeverive prej rreth njëzetë vendeve dhe përfaqësues të dhjetëra organizatave ndërkombëtare dhe rajonale qysh dje filluan të mbërrinin në qytetin bregdetar, i cili në të kaluarën, kur quhej Tjancin, kishte koncesione nga vendet perëndimore, si dhe nga Japonia dhe Rusia, ndërsa tani është simbol i vitalitetit ekonomik të Kinës. 

Presidenti rus Vladimir Putin sot në mëngjes mbërriti në mënyrë diskrete, edhe pse kryeson delegacion të madh politik dhe ekonomik, sipas mediave shtetërore ruse dhe kineze. 

Kryeministri indian Narendra Modi udhëtoi dje për vizitë të parë në Kinë që nga viti 2018, që është shenjë e afrimit mes dy gjigantëve aziatikë. 

Modi ishte pritur nga presidenti kinez, njoftoi agjencia Ksinhua, gjatë një vargu të takimeve dypalëshe të dakorduara gjatë samitit. 

Modi sot, pas takimit dypalësh me presidentin kinez Si Xhinping në qytetin bregdetar kinez Tjanxhin, deklaroi se është arritur marrëveshje ndërmjet përfaqësuesve të posaçëm të Indisë dhe Kinës në lidhje me menaxhimin me kufijtë dhe se do të vendosen përsëri fluturime të drejtpërdrejta mes të dyja vendeve. 

Samiti është nën mbikëqyrje të fuqishme të policisë dhe ushtrisë. 

Automjete të blinduara ishin vendosur në disa rrugë, ndërsa komunikacioni ishte ndërprerë në shumë pjesë të Tjenxhinit. 

Posterë në gjuhën mandarine dhe ruse e lavdërojnë “shpirtin e Tjenxhinit” dhe “besimin e ndërsjellë” kinez – rus. 

Samiti, i përshkruar si më i rëndësishmi nga krijimi i SHOS në vitin 2001, mbahet në kushte të krizave të shumta të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në anëtarët e tyre: konfliktin tregtar të SHBA-së me Kinën dhe Indinë, luftën në Ukrainë, konfliktin bërthamor iranian dhe të tjera. 

SHOS tubon 10 vende anëtare dhe 16 vende vëzhguese ose vende partnere dhe përfaqëson gati gjysmën e popullatës botërore dhe  23,5 për qind të PPB në planet. Shpesh përfaqëson kundërpeshë të NATO-s. 

Në vend të rezultateve të pasigurta, analistët bëjnë thirrje që t’i jepet rëndësi simbolikës. 

Samiti do të ofrojë “rend shumëpalësh, i modeluar nga Kina dhe i ndryshëm nga ata të dominuar nga Perëndimi”, parashikoi Dilan Lo, profesor i Universitetit Teknologjik Nanjang në Singapor. 

“Pjesëmarrja e madhe dëshmon për ndikimin e rritur të Kinës dhe atraktivitetin të cilin e ka SHOS ndaj vendeve joperëndimore”, tha ai. 

Gjatë samitit, Kina ka për qëllim ta dëshmojë ndikimin e saj diplomatik, por edhe fuqinë e saj ushtarake, duke u prezantuar si shtyllë e qëndrueshmërisë në botën e fragmentuar. 

Putini dhe disa pjesëmarrës të tjerë të mërkurën do të jenë dëshmitarë të demonstrimit të fuqisë ushtarake të nikoqirit të tyre, bashkë me paradën grandioze në Pekin me rastin e 80-vjetorit të fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe fitores mbi Japoninë. 

Për këtë rast, lideri koreanoverior Kim Xhong Un do të bëjë udhëtim të rrallë jashtë vendit të tij të izoluar, me qëllim që të qëndrojë krahas Si Xhinping në Kinën fqinje dhe aleate. 

Koreja e Veriut u bë një nga aleatet kryesore të Rusisë në luftën kundër Ukrainës. 

Pak më shumë se dy javë pasi Donald Trampi e priti në Alaskë, Putini të martën në Pekin do të bisedojë me nikoqirin e tij dhe aleatin kyç kinez. 

Të hënën në Tjenxhin, ai duhet të bisedojë për konfliktin në Ukrainë me homologun e tij turk Rexhep Taip Erdogan, ndërsa për çështjen bërthamore me homologun e tij iranian Masud Pezeshkijan. 

Për atë ditë është caktuar takim me kryeministrin indian. 

Shumë nga aleatët e Kievit besojnë se Pekini e mbështet Moskën kundër Ukrainës. 

Kina bën thirrje për neutralitet dhe i akuzon vendet perëndimore për vazhdimin e armiqësive me armatosjen e Ukrainës. fc/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR