• e premte, 05 dhjetor 2025

Organizata Botërore Meteorologjike paralajmëron për një rritje drastike të dioksidit të karbonit në atmosferë vitin e kaluar

Organizata Botërore Meteorologjike paralajmëron për një rritje drastike të dioksidit të karbonit në atmosferë vitin e kaluar

Gjenevë, 15 tetor 2025 (MIA) - Përqendrimi i dioksidit të karbonit (CO₂) në atmosferë u rrit më shumë vitin e kaluar sesa në çdo vit tjetër që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave në vitin 1957, njoftoi sot Organizata Botërore Meteorologjike (OBM).

Rritja vjetore e CO₂ është tre herë më e madhe se në vitet 1960, citoi agjencia e KB-së. Gazra të tjerë serrë jetëgjatë - duke përfshirë metanin (CH₄) dhe oksidin e azotit (N₂O) - kanë arritur gjithashtu nivele rekord, shtoi OBM.

Në vitet 1960, përqendrimet e CO₂ u rritën me 0,8 pjesë për milion (ppm) në vit. Midis viteve 2011 dhe 2020, rritja mesatare vjetore ishte 2.4 ppm, dhe midis viteve 2023 dhe 2024 u rrit në 3.5 ppm.

Kjo çoi në një rritje të përqendrimit të CO₂ në atmosferë vitin e kaluar në 423.9 ppm.

CO₂, i cili çlirohet kur digjen lëndët djegëse fosile, ndikon në klimë për shekuj me radhë, pasi vlerësohet se midis 15 dhe 40 përqind e gazit mbetet në atmosferë edhe pas 1.000 vitesh.

OBM thekson se zjarret në pyje rrisin dioksidin e karbonit në atmosferë, ndërsa aftësia absorbuese e CO₂ e pyjeve dhe oqeaneve po bie si rezultat i ndryshimeve klimatike, duke krijuar një rreth vicioz.

Efekti u përforcua më tej vitin e kaluar nga fenomeni i motit El Ninjo, i cili shkaktoi thatësira në të gjithë Amerikën e Jugut dhe Afrikën Jugore, si dhe më shumë zjarre. Thatësira i bën ekosistemet më pak të afta për të absorbuar CO₂.

Sipas të dhënave të temperaturës, viti 2024 ishte viti më i ngrohtë që nga fillimi i epokës industriale rreth vitit 1750, me një rritje prej më shumë se 1.55 gradë Celsius mbi mesataren para-industriale. Detet e botës ishin gjithashtu më të ngrohta se kurrë më parë, si në sipërfaqe ashtu edhe në thellësi deri në 2,000 metra. sa/

Foto: OBM

QËNDRONI TË LIDHUR