• e enjte, 04 dhjetor 2025

Orbani dhe politikanë hungarezë reagojnë për vrasjen e Kirkut: Ndal urrejtjes nga propaganda e majtë

Orbani dhe politikanë hungarezë reagojnë për vrasjen e Kirkut: Ndal urrejtjes nga propaganda e majtë

Budapest, 11 shtator 2025 (MIA)- Politikanët hungarezë kanë reaguar duke dënuar dhunën dhe duke bërë thirrje për t'i dhënë fund urrejtjes, pas vrasjes së influencuesit të njohur konservator dhe aktivistit, Çarli Kirk.

Kryeministri Viktor Orban në platformën Iks e quajti Kirkun "një luftëtar të vërtetë për besimin dhe lirinë". "Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjen Kirk dhe popullin amerikan".

"Vdekja e Çarli Kirkut është rezultat i një fushate ndërkombëtare të urrejtjes të zhvilluar nga e majta progresive-liberale. Kjo është ajo që çoi në sulmet ndaj Robert Ficos, ndaj Andrej Babishit dhe tani ndaj Çarli Kirkut. Duhet ta ndalojmë urrejtjen! Duhet ta ndalojmë të majtën që përhap urrejtje!", tha Orbani.

Edhe eurodeputeti Andrash Laslo reagoi ndaj lajmit në një postim në Fejsbuk. "Pak i njohur në Hungari, ai është një nga figurat kryesore në botën konservatore amerikane, gjithmonë i gatshëm për një debat të qetë edhe me liberalët e rinj më të flaktë. Ai u bë kampion i lirisë së shprehjes duke sfiduar pikëpamjet tradicionale liberale të imponuara nga bota universitare e krahut të majtë. Ai ka ndërtuar një komunitet të madh studentor në të gjithë Amerikën".

 

Eurodeputetja Kinga Gall, nënkryetare e grupit "Patriotët për Evropën" shprehu ngushëllimet e saj në X. "U prehsh në paqe Çarli Kirk, njeriu që vdiq për lirinë e shprehjes. Mendimet dhe lutjet tona janë me të dashurit e tij në këto momente të vështira. Retorika e dhunshme dhe urrejtja nxisin këto sulme të egra. Dhuna nuk ka vend në debatin publik".

Foto: printskrin IKS/DPA/EPA

QËNDRONI TË LIDHUR