Orban: Kush e mbështet Ukrainën sot, e mbështet luftën
- Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban sot deklaroi se çdokush që e mbështetë Ukrainën e mbështet luftën.
- Post By Qefsere Abduli
- 10:03, 31 tetor, 2025
Budapest, 31 tetor 2025 (MIA) - Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban sot deklaroi se çdokush që e mbështetë Ukrainën e mbështet luftën.
"Nëse vendosni një armë në tryezë, herët a vonë do të qëllojë. Europa po lëviz drejt një situate që do të thotë luftë", deklaroi Orban për Radio Koshut, duke shtuar se nuk ka një zgjidhje ushtarake për konfliktin dhe se lufta mund të "ngrihet" me humbje të mëdha jete", raporton Hirado.hu.
"Pra, çdo kush që mendon se mund ta fitojë këtë luftë me forcë ushtarake… Mendoj se ata që mendojnë kështu – gabojnë. Kjo do të rezultojë në një situatë të ngrirë ku luftërat vazhdojnë vazhdimisht dhe humben shumë jetë", tha ai.
Kryeministri theksoi se Hungaria duhet të përpiqet për paqe dhe se në këtë moment nuk mund të ndikojë në vendimet e fuqive të mëdha evropiane, por mund të "ndjekë procesin" dhe të sigurojë paqe në vend.
Ai gjithashtu deklaroi se të gjithë ata që mbështesin luftën duhet të jenë të gatshëm të rrisin taksat, pasi financimi i Ukrainës nga burime të tjera nuk është i mundshëm.
Orban foli edhe për takimin e ardhshëm me presidentin amerikan Donald Tramp, duke theksuar rëndësinë e marrëveshjeve ekonomike dhe investimeve amerikane, me një fokus të veçantë në energjinë e disponueshme për Hungarinë.
Kur u pyet për politikën ekonomike, kryeministri kritikoi propozimet e së majtës për një qasje më të kujdesshme, duke theksuar se programet efektive u zbatuan vetëm pas vitit 2010.
Ai përmendi masa të suksesshme si kreditë fikse për strehim dhe përfitimet familjare, por paralajmëroi se lufta dhe sanksionet pengojnë rritjen ekonomike. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s