• e premte, 05 dhjetor 2025

Orban: Iluzioni i artë i Ukrainës po rrënohet, Hungaria nuk do ta financojë rrjetin e mafias ushtarake

Orban: Iluzioni i artë i Ukrainës po rrënohet, Hungaria nuk do ta financojë rrjetin e mafias ushtarake

Budapest, 13 nëntor 2025 (MIA) - Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban deklaroi sot se "iluzioni i artë i Ukrainës po rrënohet" dhe se Hungaria nuk do ta financojë "rrjetin e mafias ushtarake", pas rastit të korrupsionit në sektorin e energjetikës në Ukrainë dhe dorëheqjes së ministrave.

"Është zbuluar rrjeti i mafias ushtarake me lidhje të panumërta me presidentin (e Ukrainës) Volodimir Zelenski. Ministri i Energjetikës tashmë ka dhënë dorëheqjen dhe i dyshuari kryesor është larguar nga vendi. Ky është një kaos në të cilin elita e Brukselit dëshiron të injektojë para te taksapaguesit evropianë, ku gjithçka që nuk është qëlluar në front përfundon në xhepat e mafias ushtarake. Çmenduri", shkroi Orban në rrjetin X.

Ai theksoi se Hungaria nuk dëshiron të ketë "asnjë lidhje me të".

"Ne nuk do t'i dërgojmë paratë e popullit hungarez në Ukrainë. Ato mund të përdoren shumë më mirë në vend: vetëm këtë javë dyfishuam pagesat për familjet kujdestare dhe miratuam pensionin e 14-të mujor", theksoi ai.

Ai tha se pas rastit të korrupsionit në Ukrainë, Hungaria “sigurisht nuk do t’i nënshtrohet kërkesave financiare dhe shantazhit të presidentit ukrainas”.

“Është koha e duhur që Brukseli më në fund të kuptojë se ku shkojnë paratë e tyre në të vërtetë”, tha Orbani.

Dje Zelenski kërkoi dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, German Galushçenko dhe ministres së Energjetikës, Svetlana Grinçuk për shkak të korrupsionit në sektorin e energjetikës.

Sipas tij, këta ministra nuk mund të qëndrojnë në pozicionet e tyre, pasi çështja e besimit është thelbësore.

Operacioni i kryer nga Byroja kombëtare për luftë kundër korrupsionit të Ukrainës (NABU), zbuloi një skemë nga një organizatë kriminale që ndikoi në ndërmarrjet strategjike të sektorit shtetëror, përfshirë Energoatom.

Foto: X

QËNDRONI TË LIDHUR