• e premte, 20 dhjetor 2024

Orav drejtuar qeverive të Ballkanit Perëndimor: Bëni detyrat e shtëpisë nëse doni të jeni në BE

Orav drejtuar qeverive të Ballkanit Perëndimor: Bëni detyrat e shtëpisë nëse doni të jeni në BE

Prishtinë, 25 shtator 2024 (MIA) - Shefi i ri i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, sot u ka dërguar mesazh vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, se qeveritë duhet të bëjnë “detyrat e shtëpisë” nëse duan të hyjnë në BE, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në fjalimin e tij në edicionin e sivjetshëm të Samitit të Kosovës për Paqe dhe Demokraci, Orav theksoi se qeveritë e këtyre vendeve duhet të dëshmojnë se veprimet që ndërmarrin janë për të mirën e vendit, ndërsa jo vetëm për afrimin drejt BE-së.

Ai tha se BE-ja e ka marrë seriozisht punën e zgjerimit dhe se “shpresat nuk duhet të humben sepse askush nuk thotë data se kur do të ndodhë ky proces”.

“Bashkimi Evropian po e konsideron sërish më seriozisht zgjerimin, pas gjithë atyre viteve. Para vitit 2022, vendet e Ballkanit Perëndimor dëgjuan shumë që vendi juaj është në Bashkimin Evropian, por nuk po ndodhte shumë sepse nga një raport progresi në tjetrin raport progresi. Ju nuk dëgjoni më nga Brukseli se nuk do të ketë zgjerim pesë vitet e ardhshme apo gjashtë vitet e ardhshme, në vend të kësaj, keni dëgjuar shumë shifra të ndryshme vjetore që ndoshta këtë vit duhet të ndodhë zgjerimi”, tha Orav.

Për anëtarësim në BE është i rëndësishëm edhe roli i shoqërisë civile, sepse, sipas tij, duhet të shtyjnë qeveritë dhe t’i udhëheqin në drejtimin e duhur.

"Detyrat e shtëpisë duhet të bëhen. Ky është mesazhi ynë për qeveritë, sepse është punë e vështirë të bëhen të gjitha ato reforma, sepse ato reforma nuk janë aspak popullore. Dhe qeveritë duhet të shpjegojnë se, jo, kjo nuk është për Bashkimin Evropian, por ne vetë besojmë se kjo është e mirë. Dhe roli i shoqërisë civile është jashtëzakonisht i rëndësishëm këtu, sepse ju duhet t’i shtyni qeveritë, duhet t’i udhëhiqni në drejtimin e duhur dhe kjo kritikë që po bëni është jashtëzakonisht e rëndësishme për qeveritë, për shoqëritë, dhe gjithashtu për ne”, shtoi ai.

Çelës për anëtarësimin sipas tij është edhe dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Tani jemi këtu në Kosovë, ju vini nga vende të ndryshme, më duhet të theksoj, natyrisht, procesin e normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit përmes dialogut sepse është absolutisht një çelës. Dhe unë i di edhe pritshmëritë për komisionin e ri, përbërjen e re, por thjesht do të doja të kisha një citat tjetër nga mandati që më dhanë nga 27 shtete anëtare, dhe ai thotë ‘Duhet të promovoj një Kosovë të qëndrueshme, të zbatueshme, paqësore, demokratike dhe multietnike, e cila angazhohet në bashkëpunim rajonal’ dhe unë do ta bëj këtë”, theksoi Orav.

Ky është edicioni i tretë i Samitit të Kosovës për Paqe dhe Demokraci, (KPDS) të titulluar: “Realitete radikale: Dinamika etno-politike dhe integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor”. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR