• e shtunë, 23 nëntor 2024

Opozita kosovare kërkon nga Kurti që të tregojë kërkesat e emisarëve perëndimorë

Opozita kosovare kërkon nga Kurti që të tregojë kërkesat e emisarëve perëndimorë

Prishtinë, 23 tetor 2023 (MIA)- Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet ta bëjë një sqarim për qytetarët dhe klasën politike në lidhje me kërkesat e ndërkombëtarëve që i ka marrë të shtunën. Në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka thënë se Qeveria duhet të ketë ofensivë diplomatike sa i përket sulmit të ndodhur në veri një muaj më parë.

“Kryeministri ia ka pasur për borxh të gjithë qytetarëve të vendit, por edhe klasës politike që ta mbajë një konferencë shtypi dhe ta bëjë një sqarim pas takimit për kërkesat e tyre dhe qëndrimin e tij. Nuk e di që kemi një qëndrim të qartë të kryeministrit sa i përket kërkesave të tyre. I bëjmë thirrje kryeministrit të vendit që të ketë një koordinim sa më të ngushtë me aleatët tanë në veçanti me SHBA-në. Për një muaj asnjë veprim nuk ka ndodhur nga ana jonë për të bindur dhe për të treguar realitetin se çfarë ka ndodhur. Kemi nevojë ta shohim Qeverinë tonë si një ofensivë diplomatike për një muaj dhe për ta treguar fytyrën e vërtetë të Vuçiqit. Nuk e di prej kujt po frikësohen”, ka thënë ai.

Shefi i GP të PDK-së ka folur edhe për presidenten Vjosa Osmani, për të cilën ka thënë se po mban anë politike të cilën e drejton Kurti.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajcak i shoqëruar nga i dërguari i presidentit amerikan Xho Bajden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar dhe këshilltarë të lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, mbërritën në Prishtinë të shtunën ku janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Kurti ku më pas kanë udhëtuar për në Beograd, për takim me presidentin e Serbisë, Vuçiq.

Përveç Lajcakut dhe Eskobarit, pjesë e delegacionit kanë qenë edhe Emanuel Bone, këshilltar për siguri dhe politikë të jashtme të presidentit francez Emanuel Makron, Jens Plotner, këshilltar i kancelarit gjerman Olaf Sholc dhe Alesandro Kataneo, këshilltar i kryeministres italiane Xhorxha Meloni.

 

QËNDRONI TË LIDHUR