Oksford: Evropa duhet të përgatitet për një dimër më të ftohtë, tregu i gazit është i ndjeshëm
- Kontinenti evropian mund të përballet me një dimër më të ftohtë pas dy vitesh, përderisa tregu i gazit mbetet i ndjeshëm, transmeton Anadollu.
- Post By Fami Bajrami
- 14:11, 15 tetor, 2024
Londër, 15 tetor 2024 (MIA) - Kontinenti evropian mund të përballet me një dimër më të ftohtë pas dy vitesh, përderisa tregu i gazit mbetet i ndjeshëm, transmeton Anadollu.
Një dimër i butë 2024/2025 mund të rrisë kërkesën për gaz për të paktën tetë deri në 10 miliardë metra kub, ndërsa një dimër i ftohtë me të paktën 20-25 miliardë metra kub në krahasim me vitin e kaluar, gjithnjë sipas Institutit të Oksfordit për studimet e energjetikës (OIES).
Kontrolli më i fundit tremujor i OIES tregon se moti i ftohtë i disa ditëve në shtator na ka rikujtuar se sa ndikim të madh mund të kenë temperaturat në kërkesën për gaz në të gjithë sektorët, veçanërisht ato të banimit dhe biznesit.
"Në momentin e shkruarjes së këtij teksti, është ende shumë herët për të marrë një parashikim të fortë të motit për këtë dimër, por indikacionet e hershme tregojnë se ka shumë gjasa që Evropa Perëndimore dhe Qendrore të preken nga temperatura më të ftohta krahasuar me vitin e kaluar për shkak të fenomenit La Ninjas, megjithëse temperaturat mund të jenë më të nxehta se mesatarja afatgjate", thuhet në raport.
Dhe pavarësisht bazave të dobëta evropiane, çmimet u rritën në tremujorin e tretë të vitit 2024 për shkak të kufizimeve të ofertës dhe rritjes së konkurrencës. Prodhimi evropian pati rënie të butë, ndërsa gjithashtu kishte ndërprerje të tubacioneve nga Norvegjia, duke çuar në çmime më të larta të gazit.
Një nga shtytësit kryesorë të rritjes aktuale të çmimeve është shtrëngimi i tregut global të LNG-së. Importet e LNG-së nga Azia u rritën gjatë verës, ndërsa me kërkesë veçanërisht të fortë nga Kina, India dhe Japonia. Dhe pavarësisht kërkesës së dobët evropiane për gaz, çmimet u rritën për shkak të ofertës së kufizuar.
"Tregu mbetet i ndjeshëm përderisa i afrohemi muajve të dimrit, me mundësinë e një sezoni më të ftohtë që do të përkeqësojë situatën e gazit në Evropë", potencoi OIES.
Raporti paralajmëron se La Nina mund të sjellë kushte më të ftohta, që do të rrisin kërkesën për ngrohje, veçanërisht pas dy dimrave të butë që kanë lehtësuar presionin ndaj nivelit të ruajtjes.
Nëse temperaturat bien ndjeshëm, kjo mund të shkaktojë që çmimet të rriten më tej përderisa Evropa përpiqet të mbushë depot.
Varësia e madhe e Evropës nga importet e LNG-së do të thotë se ajo do të vazhdojë të paguajë çmime më të larta për ofertën, veçanërisht pasi konkurron me kërkesën në rritje në Azi. Përderisa dimri rezulton të jetë më i ftohtë nga se pritej, Evropa mund të detyrohet të importojë LNG në mënyrë shtesë, duke i rritur edhe më tej çmimet.
Nevojat e Evropës për gaz arritën në 550 miliardë metra kub në vitin 2019. Në vitin 2020 Evropa harxhoi 534 miliardë metra kub gaz, ndërsa një vit më vonë 553 miliardë metra kub gaz. Para dy viteve, gjegjësisht në vitin 2022, janë harxhuar 496 miliardë metër kub gaz, ndërsa në vitin 2023, 465 miliardë metër kub gaz. rq/
Foto: arkivi i MIA-s