OKB: Rreth një milion banorë të Gazës kanë marrë pako me ushqim që nga fillimi i armëpushimit
- Rreth një milion njerëz kanë marrë ndihmë ushqimore nga Programi Botëror i Ushqimit (WFP) që nga fillimi i armëpushimit në Gazë, njoftoi sot një përfaqësues i kësaj agjencie të OKB-së, duke përsëritur thirrjen e tij për rihapjen e të gjitha vendkalimeve në territor.
Gjenevë, 4 nëntor 2025 (MIA) – Rreth një milion njerëz kanë marrë ndihmë ushqimore nga Programi Botëror i Ushqimit (WFP) që nga fillimi i armëpushimit në Gazë, njoftoi sot një përfaqësues i kësaj agjencie të OKB-së, duke përsëritur thirrjen e tij për rihapjen e të gjitha vendkalimeve në territor.
"Tre javë e gjysmë pas armëpushimit në Gazë, ne kemi shpërndarë pako ushqimore për afërsisht një milion njerëz në të gjithë Rripin e Gazës", deklaroi zëdhënësja e WFP-së, Aber Etefa, në konferencë për shtyp në Gjenevë.
"Megjithatë, për të zgjeruar operacionet tona në nivelin e kërkuar dhe në përputhje me angazhimet tona, na duhet qasje më e mirë, kryesisht në më shumë vendkalime kufitare dhe rrugë kryesore për në Gazë", theksoi ajo, duke vënë në dukje se qëllimi i WFP-së është të arrijë një total prej 1,6 milion njerëz.
"Ne ende kemi vetëm dy vendkalime kufitare funksionale", shtoi Etefa, duke bërë thirrje për hapjen e vendkalimeve kufitare në veri të territorit.
Ajo theksoi se "konsumi i ushqimit është rritur pak falë ndihmës humanitare dhe kalimit të kamionëve komercialë", megjithëse "është ende dukshëm nën nivelin para konfliktit".
Para armëpushimit, OKB-ja paralajmëronte pothuajse çdo ditë për urinë në disa pjesë të këtij territori palestinez. ls/
Foto: EPA