• e mërkurë, 16 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

OKB paralajmëron: Rrezik gjithnjë e më i madh nga krimet kundër njerëzimit në Rripin e Gazës

OKB paralajmëron: Rrezik gjithnjë e më i madh nga krimet kundër njerëzimit në Rripin e Gazës

Gjenevë, 4 prill 2025 (MIA) – Komisari i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Uollker Turk paralajmëroi se ekziston rrezik gjithnjë e më i madh nga krimet kundër njerëzimit në Rripin e Gazës, për shkak të përshkallëzimit të konfliktit ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve. 

Në takim urgjent të Këshillit për të drejtat e njeriut në Gjenevë, Turk deklaroi se “lehtësimi afatshkurtër i cili e solli armëpushimin është shkatërruar, ndërsa palestinezët përsëri janë të ekspozuar në sulme të ashpra”. 

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, nga 1 marsi operacionet ushtarake izraelite vranë më shumë se 1.200 palestinezë, prej të cilëve të paktën 320 ishin fëmijë, bëhet e ditur në kumtesën e OKB-së. 

Turk u shpreh i tronditur nga vrasjet e punonjësve medicinalë dhe humanitarë dhe kërkoi hetim urgjent, të pavarur. Ai theksoi se në Gazë nuk ekzistojnë vende të sigurta, sepse më shumë se gjysma e territorit është nën evakuim të detyrueshëm ose është shpallur zonë e ndaluar. 

Njëkohësisht, komisari i OKB-së shprehu shqetësim për fatin e pengjeve izraelite të cilët janë ende në Gazë dhe përkujtoi se Izraeli tashmë një muaj ka bllokadë të tërësishme të ndihmës humanitare, që e vlerësoi si “dënim kolektiv dhe përdorim potencial të urisë si mjet ushtarak”. 

Ai paralajmëroi edhe për retorikë të rritur agresive të autoriteteve izraelite për aneksim dhe ndarje të territoreve, që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. fc/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR