• e hënë, 23 dhjetor 2024

OKB ka bërë thirrje për shpëtimin e 185 emigrantëve nga një anije në Oqeanin Indian

OKB ka bërë thirrje për shpëtimin e 185 emigrantëve nga një anije në Oqeanin Indian

Gjenevë, 24 dhjetor 2023 (MIA) - Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për shpëtimin e 185 personave, kryesisht gra dhe fëmijë, nga një anije në telashe në Oqeanin Indian.

Rreth 70 persona në anijen janë fëmijë, ndërsa 88 janë gra, theksohet në kumtesën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR), në të cilën shtohet se anija ndodhej pranë ishujve Andaman dhe Nikobar në Oqeanin Indian.

“Disa prej tyre janë në gjendje kritike, ndërsa një person besohet të ketë vdekur”, thuhet në kumtesën, duke shtuar se shumë mund të vdesin nëse nuk shpëtohen në kohë.

Një zëdhënës i UNHCR-së i paidentifikuar deklaroi se kanë kontaktuar dhe u kanë kërkuar të gjitha autoriteteve në vendet bregdetare në rajon që të shpëtojnë emigrantët që besohet se janë Rohinxh.

Rreth 740.000 Rohininxh u larguan disa vite më parë për në Bangladeshin fqinj, duke ikur nga një fushatë spastrimi etnik në Mianmar.

Sipas UNHCR-së, më shumë se 2.000 Rohinxh, shumë prej tyre refugjatë në Bangladesh, u larguan me anije për në Indonezi ose Malajzi në vitin 2022. Disa qindra prej tyre kanë vdekur ose janë zhdukur.

Rohinxhët, të cilët janë myslimanë nga feja, konsiderohen të huaj në Mianmar, sepse shtetësia e tyre nuk njihet nga qeveria e atij vendi, ku 95 për qind e popullsisë janë budist. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR