OKB: Hezbollahu gjuajti një raketë drejt Izraelit nga një pozicion pranë misionit të OKB-së në Liban
- Njëra prej raketave të lëshuara nga grupi militant libanez Hezbollah të dielën drejt veriut të Izraelit, është gjuajtur nga një pozicion në afërsi të qytetit Hanie, i cili drejtohet nga forcat paqeruajtëse ndërkombëtare të OKB-së në Liban, deklaroi zëdhënësja e forcave paqeruajtëse të OKB-së në Liban (UNIFIL), Kendis Ardiel, duke paralajmëruar se sulme të tilla rrezikojnë stafin e Organizatës Botërore.
Nju Jork, 27 gusht 2024 (MIA) - Njëra prej raketave të lëshuara nga grupi militant libanez Hezbollah të dielën drejt veriut të Izraelit, është gjuajtur nga një pozicion në afërsi të qytetit Hanie, i cili drejtohet nga forcat paqeruajtëse ndërkombëtare të OKB-së në Liban, deklaroi zëdhënësja e forcave paqeruajtëse të OKB-së në Liban (UNIFIL), Kendis Ardiel, duke paralajmëruar se sulme të tilla rrezikojnë stafin e Organizatës Botërore.
Hanie ndodhet në pjesën jugore të Libanit, rreth 10 kilometra nga kufiri me Izraelin. Ardiel deklaroi se më vonë të dielën, një tjetër shpërthim ndodhi pranë një pozicioni të UNIFIL në Mais al-Xhabal, në kufirin Libano-Izraelit, por se në sulmin nuk ka të lënduar dhe dëme.
Ardiel theksoi se sulmet përtej Linjës Blu, e cila përfaqëson demarkacionin midis Libanit dhe Izraelit, ku disa pjesë të kufirit ndërkombëtar janë të diskutueshme, përbëjnë shkelje të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha dje se është zbuluar se Hezbollahu ka lëshuar raketa brenda 150 metrave nga pozicioni i misionit të OKB-së në qytetin Hanie.
Hezbollahu gjuajti raketa dhe lëshoi dronë në objektet ushtarake izraelite të dielën, ndërsa aeroplanët izraelitë goditën rreth 40 vende lëshimi në Liban. ls/
Foto: Arkiv