OECD: Konvergjenca ekonomike e Ballkanit Perëndimor me BE-në mbetet e ngadalshme dhe jo e barabartë
- Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në dy dekadat e fundit shënuan vetëm përparim modest në uljen e hendekut ekonomik me Bashkimin Evropian, vlerësohet në raportin e ri të Organizatës për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik (OECD).
- Post By Arta Bunjaku
- 18:17, 12 qershor, 2025

Paris, 12 qershor 2025 (MIA) - Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në dy dekadat e fundit shënuan vetëm përparim modest në uljen e hendekut ekonomik me Bashkimin Evropian, vlerësohet në raportin e ri të Organizatës për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik (OECD).
Bruto prodhimi vendor (BPV) për banor sipas paritetit të fuqisë blerëse të vendeve nga Ballkani Perëndimor në vitin 2023 ishte pak nën 40 për qind nga mesatarja e BE-së, që është rritje prej rreth 13 pikë procentuale në krahasim me vitin 2023, ceket në raportin e OECD-së nën titullin "Rezultate nga konvergjenca ekonomike në Ballkanin Perëndimor 2025".
Ekspertët e OECD-së theksojnë se deri te ky afrim kontrobuoi rritja stabile ekonomike në rajon në 20 vitet e fundit, me ç'rast shkallët e rritjes në Ballkanin Perëndimor vazhdimisht ishin më të larta se ato në BE.
Në periudhën prej vitit 2003 deri në vitin 2023, BPV për banor sipas paritetit të fuqisë blerëse në rajon është rritur për 120 për qind, përkatësisht nga 9.725 në 21.305 dollarë.
Megjithatë, konvergjenca ekonomike me BE-në, ceket në raport, mbetet domosdoshmëri strategjike për gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Krahas rritjes së standardit jetësor, një rajon më konkurrues dhe më i qëndrueshëm është kyç për nxitje të tregtisë, tërheqje të investimeve dhe thellim të integrimit në tregjet evropiane.
OECD ka analizuar 35 indikatorë të ndarë në pesë klasterë tematik: infrastruktura dhe lidhshmëria, shkathtësitë, ambienti afarist, transformimi digjital dhe ekonomia e gjelbër.
Konvergjencë më e rëndësishme me BE-në është vërejtur në fushën e infrastrukturës dhe lidhshmërisë, edhe pse performanca e përgjithshme atje mbetet e dobët. Infrastruktura rajonale e transportit, posaçërisht ajo hekurudhore, dukshëm ngecë prapa BE-së, ndërsa termoelektranat e vjetëruara kontribuojnë për mosefikasitet energjetik, që reflektohet në humbje të mëdha energjetike.
Infrastruktura digjitale, ndërkaq, pati dobi nga investimet e rëndësishme. Kjo rezultoi me përmirësim të konsiderueshëm të ndërlidhjes digjitale dhe shkallëve të shfrytëzimit të telefonave celularë, të cilët u afrohen atyre në BE.
Klasteri "shkathtësitë" shënon rezultate më të dobëta, edhe përkundër afrimit gradual drejt standardeve të BE-së. Edhe pse gjendja në tregun e punës në rajon po përmirësohet, papunësia e të rinjve dhe mosaktivizimi mbeten të larta, ndërkaq përpjekjet për rikualifikim marrin rëndësi.
Kur bëhet fjalë për ambientin afarist - fushë me rezultate më të fuqishme në Ballkanin Perëndimor - në dhjetë vitet e fundit nuk është vërejtur përparim i qartë në konvergjencën me BE-në. Janë vërejtur përmirësime në stabilitetin bankar dhe investime, por qasja drejt financimit të volitshëm, posaçërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, edhe më tej paraqet sfidë.
Raporti paralajmëron se korrupsioni dhe ekonomia gri vazhdojnë ta minojnë konkurrencën e drejtë dhe t'i kthejnë investuesit, ndërsa rrjedhat tregtare të Ballkanit Perëndimor akoma janë nën mesataren e vendeve-anëtare të BE-së.
Transformimi digjital është klasteri i dytë më i suksesshëm në rajon, që i referohet lidhjes së fuqishme mes qytetarëve dhe bizneseve. Shfrytëzimi i internetit në Ballkanin Perëndimor arrin mbi 95% nga niveli në BE, ndërsa sektori i teknologjive informatike dhe digjitale veçohet si forcë shtyrëse kyçe e rritjes ekonomike.
Në klasterin e fundit - "agjenda e gjelbër" - vërehet dallim i konsiderueshëm dhe përkeqësim i performancave në krahasim me BE-në. Dallimi thellohet, sepse në shumicën e sferave rezultatet stagnojnë apo shënojnë regres. Edhe pse vendet kanë filluar të zbatojnë politika të ekonomisë më të gjelbër, përparimi është i kufizuar - posaçërisht në uljen e emetimeve të dioksid karbonit, ndërkaq gjithashtu rritet edhe shqetësimi për shfrytëzim joefikas të resurseve. ab/
Foto: arkivi