• e hënë, 23 dhjetor 2024

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është e shqetësuar për shkak të marrëdhënieve aktuale të Kosovës me aleatët

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është e shqetësuar për shkak të marrëdhënieve aktuale të Kosovës me aleatët

Prishtinë, 15 gusht 2024 (MIA) - Oda Ekonomike Amerikane e Kodsovës ka shprehur shqetësimin lidhur me veprimte e fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, duke vlerësuar se ato veprime nuk janë të koordinuara me aleatët dhe partnerët strategjikë, përfshirë edhe me SHBA-në dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

 Në kumtesën lidhur me veprimet e fundit të Qeverisë në veriun e Kosovës, i banuar me shumicë të popullsisë serbe, dhe reagimet ndërkombëtare për to, OEAK përkujton se "veprimet e tilla kanë ngritur shqetësime te shtetet që e kanë mbështetur me vendosmëri Kosovën përgjatë gjithë rrugëtimit të saj drejt shpalljes së pavarësisë dhe në procesin e vazhdueshëm të shtetndërtimit".

"Oda Amerikane është veçanërisht e shqetësuar me deklaratat e partnerëve kryesorë të Kosovës në lidhje me zbehjen e entuziazmit për mbështetjen e rrugës euroatlantike të Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, duke përfshirë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Dështimi i fundit për të siguruar anëtarësimin në Këshillin e Evropës është një shembull i qartë i rënies së mbështetjes", thuhet në kumtesë.

OEAK thekson se suksesi i Kosovës në skenën ndërkombëtare ka qenë gjithmonë i lidhur ngushtë me marrëdhëniet e forta që ajo ka kultivuar me aleatët e saj.

"Këto partneritete jo vetëm që kanë forcuar pozitën politike të Kosovës, por gjithashtu kanë qenë jetike në nxitjen e rritjes ekonomike. Kur Kosova vepron në përputhje me pritjet dhe udhëzimet e partnerëve të saj strategjikë, ajo dërgon një sinjal të fuqishëm të stabilitetit, besueshmërisë dhe përkushtimit ndaj vlerave të përbashkëta, cilësi këto thelbësore për tërheqjen dhe ruajtjen e investitorëve", thonë nga Oda Amerikane e Kosovës. 

Oda Ekonomike Amerikane ka thënë se këto veprime rrezikojnë ta izolojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe ta dobësojnë pozitën e saj në negociata të rëndësishme. 

"Ato gjithashtu mund të krijojnë një mjedis pasigurie që mund të dekurajojë investitorët potencialë, të cilët kërkojnë garanci se klima politike dhe ekonomike është e qëndrueshme dhe e parashikueshme. Mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare ka qenë e rëndësishme në përparimin e Kosovës dhe çdo cenim i kësaj mbështetjeje mund të ketë pasoja me shtrirje të gjerë, si për ambiciet diplomatike ashtu edhe për ato ekonomike të vendit".

Gjithashtu, OEAK është "thellësisht e shqetësuar me diskursin e promovuar nga Qeveria, i cili po i kontribuon sentimenteve jomiqësore ndaj partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës". 

"Një retorikë e tillë është e rrezikshme dhe mund të minojë ndjenjat e forta proamerikane dhe properëndimore që janë pasqyruar vazhdimisht në sondazhet e organizatave të njohura, duke përfshirë edhe atë të kryer së fundmi nga Instituti Republikan Ndërkombëtar. Çdo përkeqësim në këtë aspekt mund të ketë implikime serioze për të ardhmen e Kosovës, ndërsa qeveria aktuale duhet të jetë e vetëdijshme se do të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo gërryerje të këtij besimi dhe mbështetjeje në mesin e popullatës", është thënë nga OEAK. 

Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të angazhohet në dialog të hapur dhe të sinqertë me partnerët e saj ndërkombëtarë. 

"Oda Amerikane beson fuqishëm se Qeveria e Kosovës duhet t'i japë përparësi qasjes bashkëpunuese, duke shfrytëzuar fuqinë e aleancave të saj. Duke ruajtur kursin historik, i cili u ndërtua mbi bazën e besimit, dialogut dhe respektit të ndërsjellë me aleatët e saj, Kosova mund të vazhdojë të avancojë integrimin e saj euroatlantik, të përmirësojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe të krijojë një klimë më të favorshme biznesi dhe investimi. Oda Ekonomike Amerikane i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që të angazhohet në dialog të hapur dhe të sinqertë me partnerët e saj ndërkombëtarë, duke siguruar që të gjitha nismat e rëndësishme koordinohen me kujdes, me qëllim të mbrojtjes së interesave afatgjata të shtetit dhe ruajtjes së marrëdhënieve të forta të krijuara ndër vite", u tha nga OEAK. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR