OBSH-ja thotë se e ka humbur kontaktin me stafin e spitalit në veri të Gazës
- Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), thotë se ka humbur kontaktin me stafin e spitalit të fundit funksional në veri të Gazës, pasi ushtria izraelite tha se po vepron në atë zonë.
- Post By Fami Bajrami
- 19:17, 25 tetor, 2024
Gazë, 25 tetor 2024 (MIA) – Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), thotë se ka humbur kontaktin me stafin e spitalit të fundit funksional në veri të Gazës, pasi ushtria izraelite tha se po vepron në atë zonë.
Ministria e Shëndetësisë së Gazës e drejtuar nga Hamasi, tha se qindra pacientë dhe personeli po mbahen në spitalin Kamal Advan.
"Nga raportimet këtë mëngjes për bastisje në spitalin Kamal Advan në veri të Gazës, kemi humbur kontaktet me personelin e atjeshëm", tha shefi i OBSH-së, Tedros Adanom Gebrejesus për X.
“Ky zhvillim është thellësisht shqetësues, duke pasur parasysh numrin e pacientëve që shërbehen dhe njerëzve që strehohen atje", shton ai.
Ushtria izraelite më parë tha se po vepronte në spital për shkak të "informacioneve të zbulimit rreth terroristëve dhe infrastrukturës në zonë".
Në javët para operacionit, IDF thotë se mundësoi evakuimin e pacientëve dhe personelit nga spitali, ndërsa është siguruar se sistemet për raste urgjente të qendrës mjekësore vazhdojnë të funksionojnë.