• e hënë, 23 dhjetor 2024

OBSH-ja paralajmëron dimër të vështirë për miliona njerëz në Ukrainë

OBSH-ja paralajmëron dimër të vështirë për miliona njerëz në Ukrainë
Gjeneva, 21 nëntor 2022 (MIA)- Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëron se dimri që vjen do të jetë “i tmerrshëm” për miliona ukrainas pas serisë së sulmeve shkatërruese ruse ndaj rrjetit energjetik në atë shtet. "Ky dimër do të jetë i rrezikshëm për jetën e miliona njerëzve në Ukrainë", deklaroi  Hans Kluge, drejtor rajonal i OBSH-së për Evropë. "Thënë thjesht - ky dimër do të jetë për mbijetesë", tha ai, duke shtuar se ky do të jetë një test për sistemin shëndetësor në vend. Ukraina, e cila për nëntë muaj mbrohet nga agresioni rus, duhet t'i zgjidhë problemet, veçanërisht me furnizimin me ngrohje dhe energji elektrike. Sipas tij, një e katërta e ukrainasve janë pa rrymë, që i detyroi të përdorin burime alternative të ngrohjes, duke përfshirë gjeneratorë të qymyrit ose të naftës. Kjo sjell rreziqe shëndetësore, duke përfshirë edhe ekspozimin ndaj substancave toksike që janë të dëmshme për fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje të frymëmarrjes dhe kardiovaskulare, si dhe djegie dhe lëndime aksidentale, paralajmëroi Kluge. "OBSH-ja deri më tani ka verifikuar 703 sulme ndaj objektet mjekësore që kanë ndodhur që nga fillimi i luftës nëntë muaj më parë. Kjo është një shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe ligjit të luftës", tha Kluge në konferencën për shtyp në Kiev ku u takua me anëtarë të qeverisë ukrainase. Ai shtoi se përveç rreziqeve të shkaktuara menjëherë nga lufta, në Ukrainë ekzistojnë të njëjtat rreziqe shëndetësore si kudo në Evropë, përfshirë pandeminë Kovid-19 ose gripin sezonal. Megjithatë, në vendin e shkatërruar nga lufta, trajtimi i tyre është i ndërlikuar nga nivelet e ulëta të vaksinimit dhe mungesa e ilaçeve. Shefi i degës evropiane të OBSH-së për këtë arsye bëri thirrje për krijimin e shpejtë të korridoreve humanitare përmes të cilave do të jetë e mundur të transportohet gjithçka që nevojitet në Ukrainë, veçanërisht në territoret e çliruara së fundmi nga pushtimi rus, ku situata është edhe më e keqe se në pjesë të tjera të vendit. Sipas tij, dhjetë milionë ukrainas, pra një e katërta e popullsisë, janë në rrezik të problemeve psikologjike, sidomos për shkak të ekspozimit të vazhdueshëm ndaj stresit, ankthit, depresionit ose sindromës post-traumatike. Këtë vit, kjo është vizita e katërt e Kluges në Ukrainë. Në fjalën e tij, ai falënderoi mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë ukrainas për heroizmin e tyre. qa  

QËNDRONI TË LIDHUR