OBSH-ja dhe UNICEF-i: Rënia e shkallës së vaksinimit shkakton rritje të sëmundjeve të cilat mund të parandalohen
- Shkalla e vaksinimit tek fëmijët në Evropë dhe Azinë Qendrore në vitin 2024 ka mbetur nën nivelet para pandemisë, tregojnë të dhënat të përfshirjes me imunizimin që sot i publikuan Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe UNICEF-i.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 12:07, 15 korrik, 2025
Gjenevë, 15 korrik 2025 (MIA) - Shkalla e vaksinimit tek fëmijët në Evropë dhe Azinë Qendrore në vitin 2024 ka mbetur nën nivelet para pandemisë, tregojnë të dhënat të përfshirjes me imunizimin që sot i publikuan Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe UNICEF-i.
Sipas raportit, 89 për qind e të porsalindurve në botë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës DTP (kundër difterisë, tetanosit dhe pertusisit), dhe 85 për qind morën të gjitha tre dozat. Kjo përfaqëson një rritje prej 171.000 fëmijë të cilët kanë marrë të paktën një dozë, dhe një milion fëmijë më shumë të vaksinuar plotësisht, krahasuar me vitin 2023.
Megjithatë, në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, normat mesatare të vaksinimit mbetën të pandryshuara ose u ulën me një pikë përqindjeje, qëndron në raport.
Në disa vende të rajonit, përfshirja me dozën e parë të vaksinës MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës) dhe dozën e tretë të DTP ka rënë ndjeshëm. Disa vende raportuan vetëm 23 për qind përfshirje me dozën e parë të MMR dhe 51 për qind me dozën e tretë të DTP. Për të arritur imunitetin kolektiv dhe parandalim të epidemive të sëmundjeve që mund të parandalohen me vaksinim, është i nevojshëm një përfshirje vjetore prej të paktën 95 për qind.
Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge, deklaroi se në vitin 2024, pothuajse 300.000 njerëz u sëmurën me pertusisi (kolla e mirë), një rritje trefish krahasuar me vitin e kaluar.
"Ndërkohë, më shumë se 125.000 njerëz janë sëmurë me fruth, dyfishi i numrit në vitin 2023. Këto shifra nuk janë vetëm statistika - ato janë qindra mijëra familje të shqetësuara, fëmijët e të cilave janë sëmurë, gjë që mund të ishte parandaluar", tha Kluge.
Ai theksoi se "vaksinat shpëtojnë jetë dhe kur përfshirja bie - sëmundjet po përhapen".
Kluge u bëri thirrje vendeve të investojnë në sisteme të forta shëndetësore lokale, të sigurojnë disponueshmërinë e vaksinave në çdo komunitet dhe në mënyrë aktive të luftojnë kundër dezinformimit.
"Punonjësit e shëndetësisë duhet të marrin mbështetje për të arritur në çdo familje, veçanërisht në zonat e vështira për t’u arritur. Komunitetet duhet të informohen me informacione të besueshme në mënyrë që prindërit të mund t’i vaksinojnë fëmijët e tyre me besim", deklaroi ai.
Drejtoresha Rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe Azinë Qendrore, Rezhina de Dominikis, deklaroi se "vaksinimi është bërë viktimë e suksesit të vet".
"Brezi i sotëm nuk është dëshmitar i pasojave shkatërruese të sëmundjeve të cilat mund të parandalohen me vaksinim - gjë që çon në vetëkënaqësi dhe e bën më të lehtë përhapjen e dezinformatave", tha ajo.
Edhe krahas sfidave, raporti thekson në përmirësimet e vazhdueshme në përfshirjen me vaksinat e reja. Kështu, midis viteve 2019 dhe 2024, përfshirja me dozën e parë të vaksinës kundër papillomavirusit human (HPV) tek vajzat është rritur nga 37 në 40 për qind, dhe tek djemtë nga tetë në 26 për qind.
Është rritur edhe përfshirja me dozën e fundit të vaksinës kundër rotavirusit - nga 24 në 42 për qind, si dhe përfshirja me dozën e tretë të vaksinës Haemophilus influenzae tip B - nga 81 në 93 për qind.
"Nevojitet veprim urgjent dhe i bashkërenduar për uljen e hendekut në përfshirjen me imunizimin dhe parandalim të rishfaqjes së sëmundjeve që mund të parandalohen. Çdo vend ka një rol të vetin, madje edhe ato me shkallë të lartë vaksinimi", tha Kluge.
Foto: Arkivi