• e mërkurë, 04 shtator 2024

OBSH: Vaksinuam një të katërtën e fëmijëve në Gaza kundër paralizës së fëmijëve

OBSH: Vaksinuam një të katërtën e fëmijëve në Gaza kundër paralizës së fëmijëve

Gjenevë, 3 shtator 2024 (MIA) - Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kumtoi se ka vaksinuar rreth një të katërtën e fëmijëve nën 10 vjeç kundër paralizës së fëmijëve dhe i tejkaloi qëllimet e saj të vendosura për vaksinim në Gaza sot, ditën e tretë të fushatës masive.

Fushata për vaksinim ishte përshpejtuar pas zbulimit të rastit të parë të paralizës së fëmijëve në Gaza muajin e kaluar dhe mbështetet në pauzat e përditshme tetë orëshe në luftimet midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit në zona të caktuara të enklavës së rrethuar. 

Rik Piperkorn, përfaqësues i OBSH-së për territoret e pushtuara palestineze, deklaroi për gazetarët që më shumë se 161.000 fëmijë nën moshën 10-të vjeçare janë vaksinuar në rajonin qendror në dy ditët e para të fushatës, me çka është tejkaluar qëllimi i vendosur prej rreth 150.000 fëmijë për dy ditë.

"Aktualisht po shkon mirë. Këto pauza humanitare po funksionojnë. Kemi 10 ditë. Ekipet mjekësore do të nisen drejt pjesës jugore të Gazës kah fundi i kësaj jave. Ata kanë për qëllim të arrijnë në përafërsisht 340.000 fëmijë atje, ndërsa pastaj të lëvizin drejt Gazës veriore", tha Piperkorn.

Ai gjithashtu tha se besohet që disa fëmijë në pjesën jugore të Gazës janë jashtë zonës së dakorduar për pauza dhe se negociatat vazhdojnë që të mundësohet qasja tek ata.

OBSH deklaroi se të paktën 90 për qind e fëmijëve në Gaza duhet të vaksinohen që fushata të jetë e suksesshme dhe të parandalohet përhapja e polios në Gaza dhe më gjerë. sa/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR