• e hënë, 23 dhjetor 2024

OBSH: Pothuajse dy të tretat e institucioneve shëndetësore në Gaza kanë ndaluar së punuari

OBSH: Pothuajse dy të tretat e institucioneve shëndetësore në Gaza kanë ndaluar së punuari

Zhenevë, 24 tetor 2023 (MIA) - Pothuajse dy të tretat e institucioneve shëndetësore të Gazës kanë ndaluar së punuari për shkak të rritjes masive dhe vdekjeprurëse të sulmeve ajrore izraelite në territorin, kumtoi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Gjithsej 46 nga 72 institucione, përfshirë edhe 12 nga 35 spitale, kanë ndaluar së funksionuari në të gjithë Gazën, kumtoi OBSH-ja.

Zyrtarët palestinezë shëndetësorë kumtuan se mungesa e energjisë elektrike dhe karburantit për gjeneratorët për shkak të bllokadës izraelite, si dhe dëmet nga sulmet ajrore, kishin detyruar shumë objekte të mbylleshin.

Sistemi shëndetësor në Rripin e Gazës "pësoi një kolaps të plotë për shkak të luftës izraelite", tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, Ashraf al-Kudra.

Ai tha se 65 mjekë janë vrarë, ndërsa 25 ambulanca janë shkatërruar në sulmet ajrore izraelite që nga 7 tetori.

"Dymbëdhjetë spitale dhe 42 qendra shëndetësore u detyruan të ndërpresin punën. Ne kemi frikë se shumë të tjerq do të ndalojnë së punuari në orët e ardhshme për shkak të mungesës së karburantit", deklaroi paraprakisht zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

"Fëmijët, gratë dhe të moshuarit përbëjnë rreth 70 për qind të viktimave, tha Al-Kudra, duke shtuar se rreth 1.550 njerëz janë raportuar të bllokuar nën rrënoja, duke përfshirë 870 fëmijë. ls/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR