OBSH: Nga një grua vdes në çdo dy minuta gjatë shtatzënisë ose lindjes
- Komplikimet e shtatzënisë ose lindjes shkaktuan vdekjen e një gruaje afërsisht në çdo dy minuta në vitin 2023, citohet në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ose organeve tjera të KB-së.
- Post By Sara Ademi
- 07:39, 7 prill, 2025

Gjenevë, 7 prill 2025 (MIA) - Komplikimet e shtatzënisë ose lindjes shkaktuan vdekjen e një gruaje afërsisht në çdo dy minuta në vitin 2023, citohet në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ose organeve tjera të KB-së.
Në raportin e publikuar sot, thuhet se kjo arrin rreth 260.000 gra në nivel global.
Vdekja e nënave ndërmjet viteve 2000 dhe 2023 është ulur për 40 për qind në nivel global, kryesisht për shkak të qasjes më të mirë në shërbimet shëndetësore bazë, shtoi OBSH.
Megjithatë, organizata paralajmëroi se tempoja e përmirësimit dukshëm është ngadalësuar nga viti 2016.
Shkurtimet e fondeve humanitare kanë një ndikim serioz ndaj mbrojtjes shëndetësore në shumë pjesë të botës, duke i detyruar vendet t'i tërheqin shërbimet vitale për shëndetin e nënave, të sapolindurve dhe fëmijëve, thuhet në raport.
Drejtori i OBSH-së, Tedros Gebrejesus, tha se përveç sigurimit të qasjes në kujdes cilësor të lindjes, i rëndësishëm është përforcimi i shëndetit dhe të drejtave riprodhuese të grave dhe vajzave.
"Megjithëse ky raport tregon fije shprese, të dhënat gjithashtu theksojnë se sa e rrezikshme është shtatzënia sot në pjesën më të madhe të botës, pavarësisht faktit se ka zgjidhje për të parandaluar dhe trajtuar komplikimet që shkaktojnë shumicën dërrmuese të vdekjeve të nënave", shtoi ai.
Një nga qëllimet e KB-së për zhvillim të qëndrueshëm është të ulet vdekshmëria e nënave nga 328 raste në 100.000 të lindur të gjallë në viti 2000 në më pak se 70 deri në vitin 2030, transmeton DPA.
Arritja e kësaj përfaqëson një "sfidë të paprecedentë", thuhet në raport.
"Nevojitet veprim urgjent për të mbrojtur shëndetin e nënës dhe për t'i dhënë fund tragjedisë së vdekshmërisë amtare. Gratë kanë të drejtë jo vetëm të mbijetojnë shtatzëninë, por edhe të përparojnë me shëndet të mirë", thuhet në raport. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s