• e hënë, 23 dhjetor 2024

OBSH: Dhjetëra mijëra civilë në Gaza kërkojnë strehim në spitale

OBSH: Dhjetëra mijëra civilë në Gaza kërkojnë strehim në spitale

Gaza, 27 dhjetor 2023 (MIA) - Dhjetëra mijëra civilë në Rripin e Gazës po kërkojnë strehim nga lufta në spitale, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Spitali Shifa në qytetin e Gazës është i mbushur me 50,000 njerëz, ndërsa Spitali Al-Amal në pjesën jugore të Rripit të Gazës me 14,000, kumtoi sot organizata shëndetësore "X", duke cituar një ekip në terren.

Rrugës për në spitale, ekipi i OBSH-së vërejti dhjetëra mijëra njerëz që iknin nga sulmet e ashpra izraelite në këmbë ose me makina.

OBSH kumtoi se 13 spitale në të gjithë Rripin e Gazës aktualisht funksionojnë pjesërisht, dy në një nivel minimal dhe 21 aspak.

Përfaqësuesit e OBSH-së janë jashtëzakonisht të shqetësuar se lëvizjet e reja të refugjatëve do të tensionojnë më tej objektet shëndetësore në pjesën jugor të Rripit të Gazës.

"Kjo lëvizje masive e detyruar e njerëzve do të çojë gjithashtu në mbipopullim më të madh, një rrezik në rritje të sëmundjeve infektive dhe do ta bëjë më të vështirë dërgimin e ndihmave humanitare", citohet në kumtesën e një anëtari të personelit të OBSH-së në terren.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adanom Gebrejesus, nga ana tjetër, përsëriti sot thirrjet e tij drejtuar komunitetit ndërkombëtar "të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të zbutur rrezikun serioz" me të cilin përballet populli i Gazës.

"Kolegët e mi janë gjithashtu të prekur drejtpërdrejt dhe personalisht nga konflikti, njësoj si të gjithë në Gaza, dhe unë vazhdoj të marr lajme tronditëse për humbjen e familjarëve të punonjësve tanë në enklavë", thotë Gebrejesus.

OBSH kumtoi se ekipet e saj ndërmorën misione "me rrezik të lartë" për të ofruar furnizime thelbësore në spitalet në veri dhe jug të Gazës, duke përfshirë Spitalin Al Shifa dhe Gjysmëhënën e Kuqe Palestineze Al Amal. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR