Numri i viktimave nga të shtënat në shkollën në Grac rritet në 10
- Numri i viktimave në sulmin ndaj një shkolle në qytetin Grac të Austrisë ka arritur në 10, kumtoi agjencia austriake APA.
- Post By Fami Bajrami
- 14:57, 10 qershor, 2025
Grac, 10 qershor 2025 (MIA) - Numri i viktimave në sulmin ndaj një shkolle në qytetin Grac të Austrisë ka arritur në 10, kumtoi agjencia austriake APA.
Mes viktimave ka nxënës, të paktën një të rritur dhe një sulmues të dyshuar, konfirmoi kryebashkiakja e Gracit, Elke Kar, duke shtuar se ka edhe shumë të lënduar. Sipas mediave lokale, sulmuesi ka të ngjarë të ketë qenë një nxënës në shkollë dhe i ka marrë jetën vetes në tualet.
Sipas të dhënave të para nga policia, autori i sulmit ka vepruar me gjasë vetëm. Rreth mesditës, autoritetet njoftuan se situata është nën kontroll dhe nuk ka kërcënim për sigurinë e qytetarëve, ndërsa ambulancat filluan të tërhiqen nga vendi i sulmit.
Fëmijët nga shkolla u transferuan në sallën e ngjarjeve "Helmut List Hale" aty pranë, ku për ta u kujdesën ekipet e emergjencës dhe Kryqi i kuq.
Policia ka nisur një hetim për vërtetimin e motiveve të sulmuesit.
Pas të shtënave të para, zona përreth shkollës u bllokua nga policia rreth orës 10 të mëngjesit. Studentët u evakuuan dhe qytetarëve iu bë thirrje të shmangnin zonën dhe të ndjekin udhëzimet e forcave të sigurisë. Zona mbetet nën bllokadë policore dhe rrugët e transportit publik janë ndryshuar. Policë të armatosur rëndë po sigurojnë të gjitha kryqëzimet përreth shkollës.
Kancelari austriak Kristian Shtoker dhe ministri i Punëve të Brendshme, Gerhard Karner janë nisur për në Grac.
foto: DPA