Numri i viktimave në shkollën e shembur islamike në Indonezi rritet në 54
- Numri i viktimave nga shembja e një shkolle të mesme islamike në Indonezi, që ndodhi para shtatë ditëve, është rritur në 54, thanë sot ekipet e shpëtimit që kërkojnë të zhdukurit nën rrënoja.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 09:43, 6 tetor, 2025
Xhakartë, 6 tetor 2025 (MIA) - Numri i viktimave nga shembja e një shkolle të mesme islamike në Indonezi, që ndodhi para shtatë ditëve, është rritur në 54, thanë sot ekipet e shpëtimit që kërkojnë të zhdukurit nën rrënoja.
"Kemi gjetur trupat e 54 viktimave", bëri të ditur Agjencia Kombëtare për Kërkim dhe Shpëtim, duke shtuar se 13 persona ende rezultojnë të zhdukur.
Një ndërtesë moderne shumëkatëshe në qytetin Sidoarxho, në provincën lindore Java të Indonezisë, u shemb papritur shtatë ditë më parë, derisa nxënësit mblidheshin për lutjet e pasdites.
Shembja e shkollës ishte aq e fuqishme sa shkaktoi një tërmet në fqinjësi.
"Kjo është katastrofa më vdekjeprurëse në Indonezi deri më tani këtë vit", tha Budi Iravan, zëvendësdrejtor i Agjencisë Kombëtare për Menaxhim me Fatkeqësi.
Operacionet për kërkim dhe shpëtim në arkipelagun e gjerë zakonisht zgjasin një javë, por autoritetet mund t'i zgjasin ato nëse ka indikacione se mund të gjenden më shumë viktima, kujtojnë agjencitë perëndimore.
Familjet e fëmijëve të zhdukur të enjten e pranuan iniciativën e autoriteteve lokale për të përdorur makineri të rënda pas një "periudhe kritike" 72-orëshe, pas së cilës shanset për mbijetesë janë të pakta. Hetuesit, gjithashtu, kanë filluar të hetojnë shkakun e shembjes së ndërtesës, e cila po i nënshtrohej punimeve të rinovimit. Ekspertët thonë se treguesit fillestarë janë se integriteti strukturor i ndërtesës nuk i ka plotësuar standardet.
Foto: Arkivi i MIA-s