"Nju jork tajms": Trampi duhet të publikojë një marrëveshje të madhe tregtare me Mbretërinë e Bashkuar
- Presidenti amerikan Donald Tramp sot duhet të njoftojë se SHBA-të do të dakordohet për një marrëveshje tregtare me Mbretërinë e Bashkuar, deklaruan për "Nju jork tajms" tre burime të njohura me planet.
- Post By Qefsere Abduli
- 09:45, 8 maj, 2025
Uashington, 9 maj 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp sot duhet të njoftojë se SHBA-të do të dakordohet për një marrëveshje tregtare me Mbretërinë e Bashkuar, deklaruan për "Nju jork tajms" tre burime të njohura me planet.
Menjëherë pas publikimit të lajmit, paundi britanik u rrit për 0,4 për qind kundrejt dollarit amerikan, sipas "Skaj njuz".
Trampi më parë paralajmëroi se do të njoftonte një marrëveshje të madhe tregtare sot në Zyrën ovale, pa konkretizuar se me cilin vend u arrit ajo.
Në një postim në rrjetin e tij social "Truth social" dje ai shkroi se konferenca për mediat në të cilën do të publikohet marrëveshja do të mbahet me "përfaqësues të një vendi të madh dhe shumë të respektueshëm".

Ai nuk zbuloi detaje të mëtejshme, por tha se njoftimi do të jetë "i pari nga shumë të tjerë". Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë refuzoi të komentojë mbi raportin e "Nju jork tajms".
Zyrtarë të lartë të Trampit kanë zhvilluar një sërë takimesh me partnerë tregtarë në javët e fundit, pasi presidenti amerikan shpalli "Ditën e çlirimit" më 2 prill dhe vendosi tarifa si për rivalët gjeopolitikë ashtu edhe për aleatët e SHBA-së.
Më pas Trampi vendosi një tarifë prej 10 për qind për shumicën e vendeve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, së bashku me tarifa më të larta "reciproke" për shumë partnerë tregtarë. Megjithatë, këto tarifa reciproke u pezulluan më vonë për 90 ditë.
Mbretëria e Bashkuar nuk ishte midis vendeve që i nënshtroheshin tarifave më reciproke, sepse importon më shumë nga SHBA-ja se sa eksporton atje. Megjithatë, Mbretëria e Bashkuar është ende e goditur me një tarifë prej 25 për qind për të gjitha automjetet dhe të gjithë çelikun dhe aluminin që eksporton në SHBA.
Një zyrtar britanik të martën deklaroi se të dy vendet kishin bërë përparim të mirë në marrëveshjen tregtare që ka të ngjarë të përfshijë kuota më të ulëta tarifore për çelikun dhe makinat. Trampi në të njëjtën ditë deklaroi se ai dhe zyrtarët e lartë të administratës do të shqyrtonin marrëveshjet e mundshme tregtare me vendet e tjera në dy javët e ardhshme dhe do të vendosnin se cilat do të pranonin.
Javën e kaluar ai deklaroi se ka marrëveshje tregtare “të mundshme” me Indinë, Korenë e Jugut dhe Japoninë. qa/
Foto: EPA