• e premte, 05 dhjetor 2025

Njerëz të bllokuar mbi çati pasi përmbytjet goditën bregun lindor të Australisë

Njerëz të bllokuar mbi çati pasi përmbytjet goditën bregun lindor të Australisë

Sidnej, 21 maj 2025 (MIA) - Reshje të dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje përgjatë bregut lindor të Australisë, duke goditur rëndë qytetet më të vogla rreth 250 kilometra në veri të Sidnejt, ku banorët mbetën të bllokuar mbi çatitë e shtëpive, raportuan sot mediat lokale. 

Në mesin e zonave më të prekura janë qyteti Tari në rajonin verior Hanter Uali dhe qyteti Vingam në bregun verior qendror, transmeton DPA.

Televizioni australian Ej-Bi-Si raportoi për "përmbytje në nivele të papara" duke përshkruar skema dramatike teksa helikopterë dhe varka evakuonin banorët e bllokuar në çati mes reshjeve të mëdha të shiut, erërave të forta dhe temperaturave të ulëta. 

Autoritetet lokale njoftuan se rreth1,600  pjesëtarë të shërbimeve emergjente janë angazhuar për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit.

Disa banorë kaluan natën të bllokuar mbi çati, të rrethuar nga ujërat që vërshonin me shpejtësi. Një grua për kanalin 9 Njuz deklaroi se ajo dhe familja e saj qëndruan të bllokuar për rreth 12 orë të rrethuar nga ujëra kafe që kishin vërshuar zonën papritur. 

Lumi Mening në rajon ka arritur një nivel rekord mbi 6 metra, duke tejkaluar nivelin më të lartë të regjistruar më parë në vitin 1929, sipas 9 Njuz. Autoritetet paralajmëruan se niveli i lumit mund të rritet edhe më shumë nëse reshjet vazhdojnë. 

Më shumë se 80 shkolla fillimisht kanë mbetur të mbyllura, ndërsa zona po përballet edhe me ndërprerje të rrymës. Meteorologët parashikojnë reshje të dendura deri të premten. Byroja e Meteorologjisë ka lëshuar paralajmërim për “vërshime të menjëhershme të rrezikshme për jetën” në disa rajone. qa/

Foto: 9 Njuz skrinshot

 

QËNDRONI TË LIDHUR