• e diel, 22 dhjetor 2024

Njëqind ditë luftë mes Izraelit dhe Hamasit

Njëqind ditë luftë mes Izraelit dhe Hamasit

Tel Aviv, Gazë 14 janar 2024 (MIA) - Njëqind ditë pas shpërthimit, lufta e fundit midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas është padyshim konflikti më i gjatë, më i përgjakshëm dhe më shkatërrues midis dy armiqve më të mëdhenj.

Luftimet filluan më 7 tetor që kur Hamasi kreu sulmin vdekjeprurës në jug të Izraelit. Që atëherë, Izraeli ka bombarduar pamëshirshëm Rripin e Gazës dhe gjithashtu filloi ofensivë që rrafshoi me tokë lagje të tëra. Ofensiva zhvendosi shumicën e palestinezëve në Gazë, mbylli më shumë se gjysmën e spitaleve dhe solli përhapjen e urisë, deklaruan vëzhguesit e KB-së.

Ushtria izraelite kumtoi se tashmë ka zvogëluar operacionet në veriun e goditur rëndë. Por në jug të vendit, ku Izraeli thotë se liderët e Hamasit po fshihen, vazhdon me forcë të plotë. Ndërkohë, grupi libanez Hezbollah dhe Izraeli pothuajse çdo ditë që nga fillim i luftës janë të përfshirë në përleshje ndërkufitare.

Në sulmin e Hamasit në tetor jetën e humbën rreth 1.140 persona në Izrael, shumica prej tyre civilë, bëjnë të ditur autoritetet izraelite. Sipas të dhënave të tyre, rreth 250 persona janë marrë peng nga radikalët palestinezë. Rreth njëqind prej tyre u liruan pas armëpushimit në fund të nëntorit, ndërsa të afërmit e atyre që ende mbahen peng vazhdojnë të ushtrojnë presion për lirimin e tyre.

Si përgjigje e sulmit, Izraeli kërcënoi se do ta shkatërrojë Hamasin i cili po sundon me Gazën që nga viti 2007 dhe është klasifikuar si grup terrorist nga Izraeli, SHBA dhe Bashkimi Evropian. Sipas të dhënave të fundit nga Ministria lokale e Shëndetësisë, të paktën 23.843 persona, kryesisht gra, adoleshentë dhe fëmijë kanë vdekur si pasojë e bombardimeve dhe granatimeve të vazhdueshme në brezin e ngushtë, theksojnë mediat franceze.

foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR