• e premte, 20 dhjetor 2024

Një serb i akuzuar për fyerje të UÇK-së dhe nënave shqiptare dënohet me pesë muaj burg dhe dëbim nga Kosova

Një serb i akuzuar për fyerje të UÇK-së dhe nënave shqiptare dënohet me pesë muaj burg dhe dëbim nga Kosova

Prishtinë, 29 gusht 2024 (MIA) – Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi të akuzuarin Sasha Zlatkoviq, shtetas i Serbisë, me pesë muaj burg, pasi u deklarua fajtor për akuzën e publikimit të një videoje në rrjetet sociale që fyente logo e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe nënave shqiptare, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Sipas aktgjykimit të dhënë të enjten nga gjyqtari Kushtrim Shiti, në dënimin e shqiptuar ndaj Zlatkoviqit do të merret parasysh koha e kaluar në paraburgim prej datës 22.07.2024, kurse nga sot paraburgimi i tij do të vazhdohet deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më gjatë se koha e dënimit të shqiptuar.

Organizata joqeveritare që mbikëqyr gjyqësorin e Kosovës, “Betimi për Drejtësi”, ka njoftuar se të akuzuarit Zlatkoviq gjykata i shqiptoi dënim plotësues – dëbim të një të huaji nga territori i Republikës së Kosovës në afat prej pesë vitesh, por në kohëzgjatjen e këtij dënimi nuk llogaritet koha e kaluar në burg.

Pas përfundimit të shpalljes së aktgjykimit nga gjyqtari, avokati mbrojtës i Zlatkoviqit, avokati Shiqiri Sila, ka pyetur gjyqtarin nëse dënimi i shqiptuar me burg mund të zëvendësohet me gjobë, por gjyqtari Shiti e ka refuzuar këtë kërkesë, transmeton “Betimi për Drejtësi”. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR