• e premte, 05 dhjetor 2025

Një raketë iraniane qëlloi spitalin në Bersheba

Një raketë iraniane qëlloi spitalin në Bersheba

Tel Aviv, 19 qershor 2025 (MIA) - Ministria izraelite e Punëve të Jashtme njoftoi se një raketë balistike iraniane qëlloi spitalin Soroka në Bersheba, ku trajtohen hebrenj, myslimanë, krishterë dhe beduinë arab. 

"Izraeli do të vazhdojë ta bëjë atë që duhet për t'i mbrojtur njerëzit e tij, nga të gjitha fushat e jetës", kumtoi Ministria.

Mediat iraniane njoftuan se varg raketash fluturojnë drejt Izraelit, "Raketat e avancuara teknologjike fluturojnë mbi Tel Aviv", njoftoi agjencia gazetareske Fars, ndërsa televizioni shtetëror iranian ka emituar pamje të drejtpërdrejta nga Tel Avivi.

Irani në mëngjes publikoi se do ta detyrojë Izraelin "të pendohet dhe të paguajë" për të gjitha sulmet e tij, në ditën e shtatë të luftës së paparë dhe intensive mes dy vendeve.

"Irani do të vazhdojë ta shfrytëzojë të drejtën e tij të vetëmbrojtjes me krenari dhe guxim, ndërsa ne do ta detyrojmë agresorin të pendohet dhe të paguajë për gabimin e tij të rëndë", shënoi ministri iranian i punëve të jashtme, Abas Aragçi, në X, duke e akuzuar Izraelin se tenton ta "zgjerojë konfliktin në rajon dhe më gjerë". sa/

foto: Printskrin "X"

QËNDRONI TË LIDHUR