• e diel, 22 dhjetor 2024

Një grup senatorësh amerikanë kërkojnë nga Bajdeni që t'i japë përparësi zgjidhjes së situatës në Kosovë

Një grup senatorësh amerikanë kërkojnë nga Bajdeni që t'i japë përparësi zgjidhjes së situatës në Kosovë

Uashington, 28 qershor 2023 (MIA) - Një grup senatorësh amerikanë kanë kërkuar nga administrata e presidentit amerikan Xho Bajden që "t'i japë përparësi zgjidhjes së situatës së përkeqësuar të sigurisë midis Kosovës dhe Serbisë".

Në letrën e nënshkruar nga tetë senatorë demokratë dhe republikanë, kërkohet që Bajdeni të mendojë për shtyrjen e shitjes së pajisjeve ushtarake, nëse të dyja palët nuk angazhohen për respektimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve, raporton sot Radio Evropa e Lirë (REL). Kosova dhe Serbia kanë pranuar këtë propozim në fund të shkurtit, ndërsa në mars kanë dakorduar Aneksin për zbatimin e tij.

Tensionet në veri të Kosovës, ku jeton shumicë serbe u rritën në fund të majit kur autoritetet e Kosovës lejuan që në ndërtesat e komunës në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok të hyjnë kryetarët shqiptarë të zgjedhur pasi serbët bojkotuan zgjedhjet e prillit.

REL thekson se Kosova dhe Serbia akuzojnë njëra-tjetrën për ngritje të tensioneve, ndërsa, siç thotë, bashkësia ndërkombëtare ia ka bartur përgjegjësinë kryesisht Kosovës dhe kërkon që të shpallen zgjedhje të reja, të tërhiqet policia nga ndërtesat komunale ndërsa kryebashkiakët shqiptarë në ndërkohë të punojnë në lokacione alternative. Nga Serbia kërkohet që të sigurojë pjesëmarrje të pakusht të serbëve në zgjedhjet eventuale në komunat në veri.

Senatorët amerikanë i bëjnë thirrje presidentit Bajden "të ushtrojë presion diplomatik për t'i dhënë fund krizës aktuale".

Ata paralajmëruan gjithashtu për një rishikim të mbështetjes nga Kongresi nëse Kosova dhe Serbia "nuk përmbahen" dhe nuk punojnë në depërshkallëzimin.

Senatorët kërkuan nga administrata e Bajdenit që të dorëzojë një raport në Senatin amerikan për situatën aktuale të sigurisë në veri të Kosovës.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e afro 600 ushtarëve amerikanë që shërbejnë në KFOR. I vlerësojmë përpjekjet diplomatike të SHBA-së për të zbutur krizën, por ato përpjekje nuk ishin reciproke, veçanërisht nga Kosova”, theksohet në letër.

REL rikujton se bashkësia ndërkombëtare ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të injorimit të kërkesave për ulje të tensioneve. Një prej tyre është përjashtimi i një stërvitje të madhe ushtarake të udhëhequr nga SHBA, ndërkohë që BE-ja paralajmëroi masa të reja kundër Kosovës këtë javë.

QËNDRONI TË LIDHUR