Një grua u vra, nëntë u plagosën në sulmin e një droni ukrainas ndaj qytetit rus Kursk
- – Një sulm ukrainas me dron vrau një grua 85-vjeçare, plagosi nëntë persona dhe shkaktoi zjarre në disa ndërtesa në qytetin rus Kursk, në afërsi të kufirit me Ukrainën, njoftuan autoritetet lokale.
- Post By Fitore Curri
- 08:48, 15 prill, 2025

Moskë, 15 prill 2025 (MIA) – Një sulm ukrainas me dron vrau një grua 85-vjeçare, plagosi nëntë persona dhe shkaktoi zjarre në disa ndërtesa në qytetin rus Kursk, në afërsi të kufirit me Ukrainën, njoftuan autoritetet lokale.
“Kursk mbrëmë ishte nënshtruar në sulm masiv armiqësor”, thuhet në publikimin në Telegram nga drejtoria e rajonit Kursk.
Si rezultat i sulmit, është dëmtuar një ndërtesë shumëkatëshe banesore, me çka shpërtheu zjarr në disa banesa, deklaroi ushtruesi i detyrës kryetar i Kurskut, Sergej Kotlarov. Banorët janë evakuuar në shkollën e afërt, shtoi ai.
Dronët goditën edhe një garazh për ndihmë të shpejtë me çka ishin dëmtuar 11 automjete, njoftuan nga drejtoria rajonale.
Përmasat e sulmit ende nuk janë të qarta, por kanalet ruse në telegram Baza dhe SHOT, të cilët shpesh publikojnë informacione nga burime në shërbimet e sigurisë dhe agjencitë për zbatimin e ligjit, njoftuan se më shumë se 20 shpërthime e lëkundën qytetin. Ata publikuan fotografi në të cilat shihet një ndërtesë banesore e djegur shumëkatëshe.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se forcat ruse kishin zmbrapsur dhe shkatërruar 115 dronë të cilat mbrëmë i kishte shfrytëzuar armata ukrainase për sulm. Sistemet ruse për mbrojtje kundërajrore neutralizuan dronë ukrainas mbi pesë rajone ruse, duke përfshirë edhe Rajonin e Moskës.
Ushtarët ukrainas, të cilët kryen pushtim ndërkufitar në Zonën e Kurskut, qendra administrative e të cilit është qyteti Kursk, ende janë të pranishëm në disa pjesë të rajonit, edhe pse forcat ruse kthyen një pjesë të madhe të territorit të humbur.
Sulmi vijoi pas sulmit rus me raketa ndaj qytetit ukrainase Sumi gjatë fundjavës, në të cilën humbën jetën 35 persona, ndërsa të paktën 119 ishin lënduar. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s