Një gazetar turk është dënuar me 10 muaj burg në bazë të ligjit të ri për "dezinformata"
- - Gjykata Turke sot dënoi një gazetar me 10 muaj burg për përhapje të "dezinformatave", me çka e shqiptoi dënimin e parë sipas ligjit të ri për të cilin opozita akuzon se e rrezikon lirinë e shprehjes.
- Post By Fitore Curri
- 20:11, 28 shkurt, 2023
Ankara, 28 shkurt 2023 (MIA) - Gjykata Turke sot dënoi një gazetar me 10 muaj burg për përhapje të "dezinformatave", me çka e shqiptoi dënimin e parë sipas ligjit të ri për të cilin opozita akuzon se e rrezikon lirinë e shprehjes.
Para katër muajve, Parlamenti turk miratoi "ligjin për dezinformata" për të cilin Partia qeveritare e Drejtësisë dhe Zhvillimit e presidentit Rexhep Taip Erdogan thotë se do ta mbrojë publikun nga përhapja e informacioneve të rreme ose të pasakta.
Sinan Ajgyl, një gazetar nga rrethi i Bitlisit në Turqinë lindore, u arrestua në fillim të dhjetorit pasi ai postoi në Tuiter se një vajzë 14-vjeçare ishte abuzuar seksualisht nga disa burra, duke përfshirë edhe policë dhe ushtarë.
Ai e fshiu postimin dhe kërkoi falje që e ka shkruar pa e konfirmuar nga autoritetet, por më vonë ishte arrestuar. Dhjetë ditë më vonë ishte liruar nga burgu hetues.
Në seancën e parë gjyqësore për këtë rast, sot, gjykata lokale e dënoi Ajgylin me 10 muaj burg, duke vendosur se ka përhapur informacione të gabuara që mund të shkaktojnë frikë dhe panik në opinion, tregojnë dokumentet e gjykatës. Ajgyl do të qëndrojë i lirë deri në shqyrtimin e ankesës për aktgjykimin. fc/