• e enjte, 04 dhjetor 2025

Një ekip i pavarur ekspertësh do të studiojë kancerin dhe rastet e vdekjeve te pilotët ushtarakë në SHBA

Një ekip i pavarur ekspertësh do të studiojë kancerin dhe rastet e vdekjeve te pilotët ushtarakë në SHBA

Uashington, 19 gusht 2025 (MIA) - Një ekip i pavarur ekspertësh do të studiojë nivelet e kancerit dhe vdekjeve te pilotët ushtarakë të aeroplanëve me krahë të fiksuar dhe ekuipazhet, sipas Ligjit të nënshkruar javën e kaluar nga presidenti i SHBA-së, Donald Tramp.

Akademitë kombëtare të shkencave, inxhinierisë dhe mjekësisë do të realizojnë një analizë të thelluar të prevalencës së llojeve të ndryshme të kancerit tek personeli që ka shërbyer në detyrë aktive në aeroplanët luftarakë, por edhe në aeroplanët për trajnim, aeroplanët për mbikëqyrje dhe aeroplanët e tjerë, për të përcaktuar nëse shpeshtësia e kancerit është më e lartë në komunitetin e aviacionit. Një studim i Ministrisë së Mbrojtjes nga viti 2023 tregon se nga 900,000 persona që kanë fluturuar në aeroplanë me krahë fikse mes viteve 1992 dhe 2017, ata kanë një shkallë të kancerit 24 për qind më të lartë se kolegët e tyre në popullatën e përgjithshme. Kjo përfshin një shkallë 87 për qind më të lartë të melanomës, 39 për qind më të lartë të kancerit të gjëndrës tiroide dhe 16 për qind më të lartë të kancerit të prostatës.

Sipas Ligjit të ri, ekipi i ekspertëve i emëruar nga Akademitë kombëtare të shkencave, inxhinierisë dhe mjekësisë do të hetojë ekspozimet që lidhen me vendet e punës në aviacionin ushtarak, siç janë rrezatimi, drita ultraviolet, kimikatet dhe materialet e tjera. Do të shqyrtohen gjithashtu të gjitha studimet akademike ekzistuese për kancerin në komunitetin e aviacionit, si dhe bazat e të dhënave zyrtare.

Ligji obligon Ministrinë e veteranëve që të nënshkruajë një marrëveshje me Akademitë kombëtare në afat prej 30 ditëve.

Gjithashtu, ligji përfshin të paktën 11 lloje kanceri. Këtu përfshihen: kanceri i trurit, kanceri i zorrës së trashë dhe rektumit, kanceri i veshkave, kanceri i mushkërive, melanomi (kanceri i lëkurës), limfoma non-Hodgkin, kanceri i pankreasit, kanceri i prostatës, kanceri i testikujve, kanceri i gjëndrës tiroide, kanceri i fshikëzës së urinës dhe të gjitha "llojet e tjera të kancerit të konsideruara si të përshtatshme" nga Akademitë kombëtare dhe autoritetet përkatëse në SHBA. qa/

Foto: Uikipedia

 

QËNDRONI TË LIDHUR