Një djalë 19-vjeçar humbi jetën në një fushë me mina në BeH
- – Një djalë 19-vjeçar ndërroi jetë në një fushë me mina në Bosnjë e Hercegovinë, me çka u bë edhe një viktimë e luftës e cila në këtë vend zhvillohej nga viti 1992 deri në vitin 1995, pas të cilës mbetën shumë mina të pashpërthyera të cilat nuk janë larguar as pas 30 vjetëve.
- Post By Fitore Curri
- 12:26, 31 gusht, 2025
Doboj, 31 gusht 2025 (MIA) – Një djalë 19-vjeçar ndërroi jetë në një fushë me mina në Bosnjë e Hercegovinë, me çka u bë edhe një viktimë e luftës e cila në këtë vend zhvillohej nga viti 1992 deri në vitin 1995, pas të cilës mbetën shumë mina të pashpërthyera të cilat nuk janë larguar as pas 30 vjetëve.
Incidenti ka ndodhur në afërsi të Dobojit, në pjesën qendrore të Bosnjës e Hercegovinës, ndërsa djali i ri, Mehmed Hasanamigjiq, iu nënshtrua plagëve.
Sipas informacioneve në dispozicion, ai ka ndërruar jetë dje kur kishte hyrë në një fushë me mina.
“Atë e kisha çdo gjë. Punonte, ishte i vyeshëm. Luftonim bashkë për kafshatën e bukës. Shkonte atje lart që të kujdesej për dhitë të cilat shpesh endeshin në fushat me mina. Bënte përpjekje që t’i kthente. Dhe atëherë diçka shpërtheu”, deklaroi për portalin “Avaz” Ferida Hasanamixhiq, nëna e djalit të vdekur.
Familja jetonte në fshatin Hoxhiqi, prej të cilit boshnjakët ishin dëbuar gjatë luftës, por shumë familje megjithatë vendosën të ktheheshin.
Disa banorë të tjerë lokalë, gjithashtu, ishin vrarë ose lënduar seriozisht nga minat paraprakisht.
Sipas të dhënave të Qendrës për Çminim të BeH (MAS), që nga fundi i luftës në BeH nga minat kanë pësuar gjithsej 1.781 persona, prej të cilëve 624 kishin ndërruar jetë.
Humbën jetën edhe 53 ekspertë të piroteknikës të angazhuar në pastrimin e fushave me mina.
Më shumë se 800 kilometra katrorë nga BeH ende janë minuar, ndërsa supozohet se aty ka më shumë se 170 mijë mina. fc/
Foto: FB