• e hënë, 23 dhjetor 2024

Një anije transportuese amerikane është qëlluar me raketë në afërsi të Jemenit

Një anije transportuese amerikane është qëlluar me raketë në afërsi të Jemenit

Londër, 15 janar 2024 (MIA) - Kompania britanike për siguri detare Ambri njoftoi se anija e qëlluar me raketë në afërsi të bregut jugor në Jemen ishte anije e mallrave pronë e SHBA-së.

Sipas Ambri, sulmi "i ka targetuar interesat e SHBA-së si përgjigje e sulmeve ushtarake amerikane ndaj pozicioneve ushtarake të Huthëve në Jemen". 

Ambri njoftoi se ka shpërthyer zjarr në anijen amerikane e cila lundronte nën flamurin e Ishujve Marshall, por ajo edhe më tutje është në gjendje lundruese dhe nuk ka të lënduar. 

Bëhet e ditur edhe se anija është "vlerësuar se nuk ka lidhje me Izraelin". 

Agjencia britanike për operacione tregtare detare e Mbretërisë së Bashkuar më parë njoftoi se kapiteni i anijes ka njoftuar se "ana e majtë e anijes ishte goditur nga lartë me raketë", në afërsi të qytetit jugor bregdetar Aden në Jemen.

Agjencia britanike për operacione tregtare detare (UKMTO) më parë njoftoi për incident të ri serioz në Detin e Kuq. UKMTO, që i ndjek luftërat në Lindjen e Afërt, njoftoi se sulmi ka ndodhur rreth 110 milje (177 kilometra) në juglindje të Adenit. fc/

Fotografia: Arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR