• e premte, 05 dhjetor 2025

Një afgan u arrestua pasi qëlloi ndaj dy pjesëtarëve të Gardës kombëtare të SHBA-së

Një afgan u arrestua pasi qëlloi ndaj dy pjesëtarëve të Gardës kombëtare të SHBA-së

Uashington, 27 nëntor 2025 (MIA) - Një shtetas afgan është akuzuar për të shtënat me armë ndaj dy pjesëtarëve të Gardës kombëtare të SHBA-së në vetëm pak blloqe larg Shtëpisë së Bardhë, në një akt të dhunshëm që vjen në një kohë kur prania e ushtrisë në kryeqytet dhe qytete të tjera në gjithë vendin është në qendër të debatit politik, bëjnë të ditur mediat amerikane.

Drejtori i FBI-së, Kesh Patel dhe kryetarja e bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bauzer, më parë deklaruan se anëtarët e Gardës janë shtruar në spital në gjendje kritike pas të shtënave afër Shtëpisë së Bardhë dje. Guvernatori i Virxhinias Perëndimore, Patrik Morisej, tërhoqi deklaratën e tij të djeshme se pjesëtarët e Gardës kanë humbur jetën, duke thënë se kishte marrë "informacione kontradiktore" në lidhje me shëndetin e tyre.

Të shtënat me armë ndaj pjesëtarëve të Gardës kombëtare në territorin amerikan në prag të “Ditës së falënderimeve” vijnë mes betejave ligjore dhe debatit më të gjerë publik rreth përdorimit të forcës ushtarake nga administrata e Trampit në luftën për atë që zyrtarët e quajnë një problem të krimit jashtë kontrollit.

Administrata e Trampit urdhëroi shpejt që 500 trupa të tjera të Gardës kombëtare të dislokohen në Uashington pas të shtënave.

I dyshuari i cili u arrestua u qëllua gjithashtu dhe ka plagë që nuk konsiderohen si të rrezikshme për jetën, sipas një zyrtari të zbatimit të ligjit që foli në kushte anonimiteti. Ai është një shtetas afgan 29-vjeçar. Ai ka hyrë në SHBA në vitin 2021 në kuadër të operacionit "Forca aleate", një program në udhëheqjen e ish presidentit Xho Bajden që evakuoi dhe rivendosi dhjetëra mijëra afganë pas tërheqjes së SHBA-së nga vendi, thanë zyrtarët.

Burri afgan i cili jetonte në shtetin e Uashingtonit është identifikuar nga forcat e rendit si Rahmanulla Lakanval, por autoritetet ende punojnë për të konfirmuar plotësisht origjinën e tij, bënë të ditur autoritetet. Lakanval ka arrit në Belingam, Uashington, rreth 80 milje në veri të Sietllit me gruan dhe pesë fëmijët e tij, deklaroi ish pronarja e tij, Kristina Uidman.

Foto: arkivi i EPA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR