Nikolloski dhe Karaxhov të enjten do të nënshkruajnë marrëveshje për tunelin hekurudhor ndërkufitar të Korridorit 8
- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve të Republikës së Bullgarisë, Grozdan Karaxhov të enjten do të nënshkruajnë Marrëveshjen për përgatitjen, ndërtimin dhe funksionimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar të Korridorit 8, informon Ministria e Transportit.
- Post By Fami Bajrami
- 14:17, 4 nëntor, 2025
Shkup, 4 nëntor 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve të Republikës së Bullgarisë, Grozdan Karaxhov të enjten do të nënshkruajnë Marrëveshjen për përgatitjen, ndërtimin dhe funksionimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar të Korridorit 8, informon Ministria e Transportit.
Në nënshkrimin i cili do të zhvillohet në stacionin hekurudhor Gjishevë, është planifikuar të marrin pjesë përfaqësues të Komisionit Evropian, përfaqësues të NATO-s, përfaqësues të SHBA-së, Bankës Evropiane të Investimeve, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe përfaqësues të Bankës Botërore.

Ndërtimi i tunelit hekurudhor, thonë nga ministria, do të paraqesë një vendkalim kufitar midis dy vendeve në Korridorin 8. Gjatësia e projektuar e tunelit është rreth 2.4 km nga të cilat 1.2 km ndodhen në territorin e vendit.
"Ndërtimi i Korridorit hekurudhor 8, përveç rëndësisë së tij ekonomike për Maqedoninë dhe rajonin, ka edhe rëndësi sigurie në kuadër të Aleancës së NATO-s. Në këtë drejtim, hekurudha nga Kumanova në Belakovc është ndërtuar dhe hapur për qarkullim në Korridorin lindor 8", theksohet në kumtesën e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.
Segmenti rrugor nga Belakovca në Kriva Pallankë është në ndërtim e sipër, ndërsa punohet intensivisht edhe për përgatitjen e segmentit të tretë nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Republikën e Bullgarisë i cili më pas do të përfshijë zgjidhjen për tunelin.
Foto: Ministria e Transportit