Nga zjarri që shpërtheu në Shëngjin, turistët në panik po largohen nga vendi
- - Situata në Shëngjin është apokaliptike, ku flakët e zjarrit nuk po qetësohen, por për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fuqishme gjithnjë e më shumë po ndizen, me përhapjen në sipërfaqet nën zjarr.
- Post By Fitore Curri
- 21:19, 30 korrik, 2024
Tiranë, 30 korrik 2024 (MIA) - Situata në Shëngjin është apokaliptike, ku flakët e zjarrit nuk po qetësohen, por për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fuqishme gjithnjë e më shumë po ndizen, me përhapjen në sipërfaqet nën zjarr.
Deri më tani u dogjën një kafene dhe një shtëpi në tre kate, për fat të mirë nuk ka të lënduar, por flakët e zjarrit gjithnjë e më shumë po i afrohen qendrës së Shëngjinit.
Evakuimi i një pjese të turistëve dhe banorëve, ka filluar mbrëmë në mesnatë, ndërsa sot pasdite turistët në mënyrë masive po largohen nga qyteti. Pjesa më e madhe e qytetit është pa energji elektrike.
"Radhë të gjata makinash, kryesisht me turistë të huaj janë krijuar pasditen e së martës në zonën Shëngjinit, në tentativë për t’u larguar për shkak të situatës së rënduar nga zjarret. Prej më shumë se 4 ditësh zjarret në kodrën e Shëngjinit vijojnë të djegin sipërfaqe të mëdha me pyje e shkurre, teksa flakët ditët e sotme janë afruar në hotelet dhe resortet e mbushuara me turistë", bëjnë të ditur mediat.
Qindra zjarrfikës nga Lezha, Shëngjini dhe qytetet përreth, të ndihmuar nga forcat e armatosura, policia dhe qytetarët po punojnë për vënien nën kontroll të zjarreve. Në shuarje janë përfshirë dy aeroplanë "Kanaderë" nga Italia, si dhe një helikopter i ushtrisë dhe një policie, por as ndërhyrja nga ajri nuk ka ndihmuar në stabilizimin e situatës. fc/