• e hënë, 23 dhjetor 2024

Nga përmbytjet në Pejë, një nënë dhe një fëmijë e humbën jetën, Kurti shprehu ngushëllimet e tij dhe premtoi mbështetje për përballimin e pasojave

Nga përmbytjet në Pejë, një nënë dhe një fëmijë e humbën jetën, Kurti shprehu ngushëllimet e tij dhe premtoi mbështetje për përballimin e pasojave

Prishtinë, 25 qershor 2023 (MIA) - Një fëmijë pesëvjeçar dhe nëna e tij e kanë humbur jetën nga vërshimet e mbrëmshme në qytetin e Pejës në Kosovë.

Pasi u konfirmua se një fëmijë pesëvjeçar ishte mbytur, policia e Kosovës njoftoi se pa shenja jete është gjetur edhe nëna e tij e humbur. Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Asllan Çeshme".

Kryetari i Komunës së Pejës ,Gazmen Muhaxheri shprehu keqardhje për vdekjen nënës dhe djalit të saj pesëvjeçar. 

"Kjo është një situatë e rëndë dhe e hidhur për qytetin tonë. Në këtë kohë të keqe, shpreh ngushëllime dhe solidaritet të plotë. Shpresojë se do të kenë forcë ta tejkalojnë këtë situatë", theksoi Muhaxheri në Fejsbuk. 

Ai shtoi se ekipet komunale janë në terren dhe po monitorojnë situatën e shkaktuar nga vërshimet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për ngjarjen fatkeqe në Pejë dhe përmes rrjetit social Fejsbuk ka shprehur pikëllimin e thellë për këtë tragjedi. Ai theksoi se humbja e jetëve është një goditje e madhe për Kosovën dhe ka shprehur ngushëllimet e sinqerta për familjet e viktimave. Të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë. 

Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar me kapacitetet e saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave që të ndihmojë në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, janë në komunikim me Komunën e Pejës për të koordinuar veprimet në ofrim të mbështetjes së nevojshme

Kurti theksoi se Qeveria do të bëjë përpjekje për zgjidhjen e situatës dhe do të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme për qytetarët e prekur nga vërshimet. Ai premtoi se Qeveria dhe institucionet kompetente do të angazhohen në terren për të ofruar ndihmë dhe mbështetje për zonat e cenueshme. qa/shk/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR