Netanjahu shkarkon këshilltarin e sigurisë kombëtare Caçi Hanegbi
- Caçi Hanegbi, këshilltar i sigurisë kombëtare i kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, bëri të ditur sot se kryeministri e ka shkarkuar atë dhe ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë.
- Post By Fami Bajrami
- 21:01, 21 tetor, 2025
Tel Aviv, 21 tetor 2025 (MIA) - Caçi Hanegbi, këshilltar i sigurisë kombëtare i kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, bëri të ditur sot se kryeministri e ka shkarkuar atë dhe ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë.
"Tajms of Izrael" transmeton se Hanegbi, një anëtar i hershëm i partisë Likud dhe ish ministër që nga vitet 1990, thuhet se ka kundërshtuar planin e Netanjahut për të nisur një ofensivë tokësore në Gazë këtë verë, si dhe përpjekjen e dështuar për vrasjen e liderit të Hamasit në Katar muajin e kaluar.
Në komunikatë, Hanegbi pranon se ka pasur mosmarrëveshje me Netanjahun, por thekson se është mirënjohës për mundësinë për të marrë pjesë në formësimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Izraelit gjatë "viteve sfiduese".
"E falënderova kryeministrin për privilegjin e të qenit partner në formësimin e politikës së vendit, për mundësinë për të shprehur pikëpamje të pavarura në diskutime të ndjeshme dhe për dialogun profesional që kemi pasur, madje edhe në momente të mosmarrëveshjes", tha Hanegbi.
Ai paralajmëroi se lufta e cila filloi më 7 tetor 2023 dhe në të cilën armëpushimi hyri në fuqi së fundmi, nuk ka mbaruar ende.
“Luftëtarët tanë janë ende në gatishmëri në fronte të shumta, ndërsa detyra e kthimit të të gjithë pengjeve tona nuk është përmbushur ende”, tha Hanegbi.