• e hënë, 23 dhjetor 2024

Netanjahu: Nëse është e nevojshme Izraeli do të luftojë vetëm kundër armikut

Netanjahu: Nëse është e nevojshme Izraeli do të luftojë vetëm kundër armikut

Jerusalem, 9 maj 2024 (MIA) - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka deklaruar sot se nëse është e nevojshme vendi i tij do të “qëndrojë vetëm” në luftën kundër Hamasit, duke rrezikuar një thellim të krizës në marrëdhëniet me SHBA-në.

Netanjahu këtë e ka theksuar pasi që presidenti amerikan Xho Bajden tha se SHBA-ja nuk do t’i japin armatime për ofensivën për të cilën është zotuar prej kohësh Izraeli për në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

Izraeli thotë se Rafah është baza e fundit e Hamasit në Gazë dhe Netanjahu është zotuar se do të kryejë ofensivë në qytet, pavarësisht kundërshtimit të gjerë ndërkombëtar për shkak të shqetësimeve se më shumë se 1 milion palestinezë janë strehuar atje. "Nëse duhet të qëndrojmë të vetëm, do ta bëjmë. Nëse duhet, do të luftojmë me thonj”, tha ai.

Organizatat humanitare dhe ato të shëndetësisë paralajmëruan se një ofensivë në shkallë të gjerë nga Izraeli në Rafah do të kishte pasoja katastrofike dhe shtuan se është e pamundur zhvendosja në masë e popullsisë në mënyrë të sigurtë.

Ndërkohë, sot u nis drejt portit të përkohshëm të ndërtuar në Gazë nga Shtetet e Bashkuara ngarkesa e parë me ndihma humanitare.

Presidenti bajden ka dhënë urdhër rreth dy muaj më parë për ndërtimin e platformës së madhe lundruese.

Pika kufitare e Rafahut, mes Egjiptit dhe Gazës është mbyllur që kur ushtria izraelite mori kontrollin e pjesës palestineze të martën, duke bllokuar hyrjen e ndihmave humanitare, për të cilat banorët kanë dëshpërimisht nevojë. Kombet e Bashkuara thonë se në veri të Gazës, popullata po përballet me zi buke.

Sulmet e fundit izraelite në Rafah, kanë çuar në mbylljen e disa prej qendrave mjekësore që deri më tani u kishin shërbyer rreth 1.3 milionë banorëve të Gazës që janë strehuar në qytetin jugor pët t’i shpëtuar luftimeve në zona të tjera.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se një nga tre spitalet e mbetura në Rafah është mbyllur për shkak të mungesës së karburantit dhe energjisë elektrike të nevojshme për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR