• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Netanjahu: Me një fitore totale do t'i japim një goditje fatale Hamasit, por edhe Iranit

Netanjahu: Me një fitore totale do t'i japim një goditje fatale Hamasit, por edhe Iranit

 Jerusalem, 5 shkurt 2024 (MIA)  - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu sot deklaroi  se me "fitoren totale" të armatës izraelite në Rripin e Gazës, do t'i jepet një "goditje fatale"   organizatës islamike palestineze Hamas, por edhe Iranit dhe aleatëve të tij.

"Një fitore absolute është thelbësore sepse garanton sigurinë për Izraelin. Një fitore e plotë do t'i japë një goditje fatale boshtit të së keqes, ndërsa këta janë Irani, Hezbollahu (libanez), (rebelët jemenas të lëvizjes Huthët) dhe gjithsesi Hamasi", tha Netanjahu pas takimit me përfaqësues të armatës. 

Siç njoftoi kabineti i tij, Netanjahu  në Latrun, jo shumë larg Jerusalemit, theksoi se Izraeli është "në rrugën drejt fitores së plotë", se është i përkushtuar në të dhe se "nuk do të heqë dorë". 

"Nuk do ta përfundojmë luftën pa arritur qëllimin e fitores totale, e cila do të rivendosë sigurinë si në jug ashtu edhe në veri", u tha Netanjahu anëtarëve të ekuipazhit të tankut, pa specifikuar se çfarë do të thotë fitore totale, raportuan mediat izraelite.

Ai theksoi se 75 për qind e batalioneve të Hamasit janë shkatërruar, se nuk ka "zëvendësim për fitoren totale" dhe se Izraeli po e shkatërron rrjetin e tuneleve të Hamasit. 

 Ai deklaroi se izraelitët e evakuuar nuk do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre nëse Izraeli nuk e arrin këtë qëllim dhe shtoi se "do të jetë vetëm çështje kohe përpara se të pasojë një tjetër masakër" dhe se Hezbollahu dhe organizatat e tjera "do të përmbysin rajonin".  Ai me këtë aludonte në sulmet e Hamasit nga Gaza në jug të Izraelit më 7 tetor, pas çfarë filloi lufta e fundit.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR