• e premte, 05 dhjetor 2025

Netanjahu: Izraeli është i gatshëm për lirimin e menjëhershëm të pengjeve

Netanjahu: Izraeli është i gatshëm për lirimin e menjëhershëm të pengjeve

Tel Aviv, 12 tetor 2025 (MIA) - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha sot se "Izraeli është gati të pranojë menjëherë të gjithë pengjet tona", sipas një deklarate nga Zyra e kryeministrit, pasi dolën informata se lirimi i pengjeve të Gazës mund të ndodhë që sonte.

Ndërkohë, një zyrtar izraelit për transmetuesit publik Kan deklaroi se armata pret që pengjet të kthehen në Izrael para se presidenti i SHBA-së Donald Tramp të mbërrijë në Izrael nesër në orën 9:20 të mëngjesit.

"IDF ka përfunduar përgatitjet për lirimin e pengjeve dhe vlerëson se të gjithë do të lirohen para mbërritjes së Trampit", tha burimi.

Mediat në gjuhën hebraike, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar izraelitë, raportuan se Jerusalemi kishte marrë indikacione se Hamasi donte të përshpejtonte lirimin e pengjeve në Gaza për sonte, raportoi Tajms of Izrael.

Sipas raportimeve, Hamasi ka sinjalizuar se dëshiron që procesi të përfundojë para mbërritjes së presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, nesër në Izrael.

Nuk ka pasur konfirmim zyrtar për një orar të përshpejtuar të mundshëm. Zyrtarët izraelitë kanë thënë më parë se presin që pengjet të lirohen nesër në mëngjes.

"Uoll Strit Xhurnal", duke cituar burime të njohura me çështjen, raportoi më parë se Hamasi i kishte konfirmuar Izraelit se 20 pengje ishin gjallë dhe mund të liroheshin që sot.

Sipas raportit, mesazhi u dërgua nëpërmjet ndërmjetësve arabë. sa/

Foto: MIA arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR