• e premte, 05 dhjetor 2025

Netanjahu: Izraeli është gati të pranojë menjëherë pengjet e liruara nga Hamasi

Netanjahu: Izraeli është gati të pranojë menjëherë pengjet e liruara nga Hamasi

 Tel Aviv, 12 tetor 2025 (MIA) - Izraeli është gati të pranojë menjëherë pengjet e liruara nga Hamasi, deklaroi  sot kryeministri Benjamin Netanjahu.

Kabineti i tij bëri të ditur se Netanjahu ka biseduar për këtë çështje me koordinatorin e qeverisë për çështjet e pengjeve, Gal Hirsh. 

"Izraeli është gati dhe i gatshëm të pranojë menjëherë të gjithë pengjet tona", thuhet në komunikatë. 

 Afati 72-orësh për lirimin e pengjeve sipas planit të paqes së presidentit amerikan Donald Tramp për Gazën skadon në mesditë të së hënës (09:00 GMT).

Burime nga Hamasi theksuan se grupi planifikon të dorëzojë të gjithë pengjet e mbijetuara, dhe nëse është e mundur edhe pengjet e ndjerë, deri në orën 6 të mëngjesit të së hënës. 

Mbetet e paqartë nëse deklarata e Netanjahut nënkupton që lirimi mund të ndodhë që sot. Kanali televiziv izraelit H12 raportoi se dorëzimi pritej gjatë natës së së hënës. 

 Uollstrit xhurnal raportoi se Hamasi e ka informuar Izraelin nëpërmjet ndërmjetësve arabë se ka 20 pengje gjallë dhe është i përgatitur t'i lirojë. Ky thuhet se është konfirmimi i parë nga Hamasi se 20 nga pengjet e rrëmbyera gjatë masakrës së 7 tetorit të vitit 2023 janë ende gjallë.

 Autoritetet izraelite thonë se 48 pengje, të vdekur dhe të gjallë, ndodhen në Gazë.

Kthimi do të koordinohet nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq pa një ceremoni publike apo prani mediatike. Pas takimeve me të afërmit dhe ekzaminimeve fillestare mjekësore në kampin ushtarak Re'im pranë Rripit të Gazës, pengjet e liruara pritet të transportohen me helikopter në spitale për kujdes të mëtejshëm. 

 Foto: Arkivi

 

QËNDRONI TË LIDHUR