• e premte, 22 nëntor 2024

Netanjahu: Irani bëri gabim të madh dhe do të paguajë për atë

Netanjahu: Irani bëri gabim të madh dhe do të paguajë për atë

Tel Aviv, 2 tetor 2024 (MIA) - Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu mbrëmë deklaroi se sulmi i Iranit ndaj vendit të tij dështoi dhe premtoi hakmarrje.

Irani dje gjuajti rreth 200 raketa balistike drejt Izraelit në shenjë hakmarrjeje për fushatën izraelite kundër aleatëve të Teheranit, Hezbollahut në Liban.

"Irani bëri një gabim të madh sonte - dhe ata do të paguajnë për të", tha Netanjahu në fillim të takimit të kreut të sigurisë dhe politik të vendit.

“Regjimi në Iran nuk e kupton vendosmërinë tonë për t'u mbrojtur dhe vendosmërinë tonë për të goditur armiqtë tanë", shtoi ai.

Zëdhënësi i Forcave izraelite të Mbrojtjes (IDF) Daniel Hagari deklaroi se Izraeli do të zgjedh se si dhe kur do t'i përgjigjet sulmit iranian.

Hagari tha se ka "numër të vogël goditjesh" nga 180 raketa balistike të lëshuara drejt Izraelit, publikoi "Tajms of Izrael".

"Shumica e raketave u shkatërruan nga Izraeli dhe koalicioni i mbrojtjes, i udhëhequr nga SHBA-ja", potencoi ai.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare e Iranit kumtoi se 90 për qind e raketave që Irani lëshoi ​​në Izrael me sukses i qëlluan caqet e tyre.

Forcat e armatosura të Iranit kumtuan se do t'i gjuajnë "bazat dhe interesat" e mbështetësve të Izraelit në rajon, nëse ato drejtpërdrejt intervenojnë kundër Teheranit, duke shtuar se secila përgjigje e Izraelit ndaj sulmit të tij raketor do të pritet me "shkatërrim të madh" të infrastrukturës izraelite.

Presidenti i Amerikës, Xho Bajden deklaroi se në vijim janë bisedimet midis përfaqësuesve amerikanë dhe izraelitë se si duhet të duket përgjigja e Izraelit ndaj sulmit raketor iranian.

Bajden përsëriti se Uashingtoni "mbështet plotësisht" Izraelin pas sulmit nga Irani dhe u bëri thirrje të gjitha kombeve të botës t'ju shoqërohen atyre për të dënuar sulmin iranian. rq/bsh/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR