• e hënë, 23 dhjetor 2024

Netanjahu i zemëruar për shkak të rezolutës së miratuar të KB-së, e anuloi vizitën e delegacionit izraelit në Uashington

Netanjahu i zemëruar për shkak të rezolutës së miratuar të KB-së, e anuloi vizitën e delegacionit izraelit në Uashington

Tel-Aviv, 25 mars 2024 (MIA) - Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, e ka anuluar vizitën e planifikuar në Uashington të një delegacioni të nivelit të lartë, në shenjë proteste me vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që miratoi rezolutën që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza.

Rezoluta kaloi me 14 vota për, asnjë kundër, pasi SHBA-ja vendosi që të mos përdornin veton, por abstenuan.

Netanjahu akuzoi SHBA-në se është “tërhequr” nga ajo që ai tha se ishte një “pozicion parimor” duke lejuar miratimin e rezolutës pa vendosur që armëpushimi të jetë i lidhur me lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi -ngrupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Delegacioni izraelit ishte planifikuar që t’iu prezantonte zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë planet e Izraelit për një pushtim të pritshëm tokësor në qytezën Rafah në Gazë, ku më shumë se 1 milion civilë palestinezë janë strehuar nga luftimet në pjesë të tjera të enklavës.

Në të kaluarën, SHBA-ja kishte vendosur veto për rezolutat e paraqitura në Këshillin e Sigurimit që kërkonin armëpushim në Gazë. Por, javën e kaluar Uashingtoni paraqiti vetë një rezolutë që bënte thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në Gaza. Megjithatë, teksti u kundërshtua nga Rusia dhe Kina, që vendosën veto.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi sot një rezolutë që kërkon një "armëpushim të menjëhershëm" midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, si dhe lirimin e pakushtëzuar të pengjeve. Për herë të parë që nga lufta gjashtëmujore në Rripin e Gazës, Këshilli i Sigurimit i KB-së bën thirrje për një "armëpushim të menjëhershëm" gjatë Ramazanit, i cili zgjat edhe dy javë të tjera.

Rezoluta u dorëzua nga dhjetë vende-anëtare jo të përhershme të BB, duke përfshirë Algjerinë, Guajanën, Maltën, Mozambikun, Sierra Leonen, Slloveninë dhe Zvicrën.

Në përpjekjet e mëparshme, vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të KB-së kanë vënë veton ndaj rezolutave të mëparshme të armëpushimit të Gazës.

SHBA-ja deri më tani ka vënë veton për tre projekt-rezoluta dhe Rusia dhe Kina e kanë bllokuar dy herë propozimin e SHBA.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 32.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën e udhëhequr nga Hamasi.

Para kësaj rezolute, Këshilli i Sigurimit kishte miratuar dy nga tetë rezolutat e paraqitura për luftën Izrael-Hamas. Rezolutat e miratuara kryesisht kishin të bënin me dërgimin e ndihmës humanitare. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR