Netanjahu i vizitoi forcat izraelite në Siri
- Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, i shoqëruar nga zyrtarë të tjerë, sot vizitoi forcat izraelite të vendosura në Siri, përmes vijës së demarkacionit midis dy vendeve që janë ende në luftë, njoftoi qeveria izraelite.
Jerusalem, 19 nëntor 2025 (MIA) - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, i shoqëruar nga zyrtarë të tjerë, sot vizitoi forcat izraelite të vendosura në Siri, përmes vijës së demarkacionit midis dy vendeve që janë ende në luftë, njoftoi qeveria izraelite.
"Netanjahu e vizitoi sot zonën tampon në Siri, i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes, Izrael Kac, Ministri i Punëve të Jashtme, Gideon Saar, Shefi i shtatmadhorisë Ejal Zamir, dhe Shefi i Shin Bet (Siguria e Brendshme), David Zini", theksohet në kumtesën e kabinetit të kryeministrit.
Pas rrëzimit të liderit sirian Bashar al-Asad në dhjetor 2024, Izraeli dërgoi forca në zonën e demilitarizuar të patrulluar nga forcat e OKB-së në Lartësitë siriane të Golanit, duke thënë se nuk i besojnë liderit të ri të Sirisë, ish-xhihadistit Ahmad al-Shara.
Zona e demilitarizuar ndan pjesën e Lartësive të Golanit sirian të pushtuara nga Izraeli që nga viti 1967 (dhe të aneksuara në mënyrë të njëanshme me një ligj izraelit të vitit 1981, i cili nuk njihet nga OKB-ja) nga pjesa tjetër e Sirisë.
Netanjahu vizitoi një pozicion ushtarak izraelit përpara se të mbante brifing të sigurisë dhe t'u përgjigjej pyetjeve të ushtarëve, sipas kumtesës izraelite në të cilën u publikuan fotografi nga vizita. ls/
Foto: Skrinshot nga video nga zyra e Qeverisë