• e shtunë, 23 nëntor 2024

Netanjahu dhe Galant thonë se të gjithë anëtarët e Hamasit janë "njerëz të vdekur që ecin"

Netanjahu dhe Galant thonë se të gjithë anëtarët e Hamasit janë

Tel Aviv, 19 nëntor 2023 (MIA) - Kreu shtetëror izraelit mbrëmë njoftoi se të gjithë anëtarët e Hamasit palestinez janë "njerëz të vdekur që ecin". 

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dhe ministri i Mbrojtjes, Joav Galant në konferencë për media thanë se deklarata i përfshin edhe ata operativë të Hamasit jashtë Rripit të Gazës. 

Galant shtoi se "nuk ka dallim midis një terroristi me kallashnikov dhe një terroristi me një kostum tre-pjesësh", që duket se është aludim për liderin e grupit islamik Hamas, Ismail Hania, i cili besohet se jeton në Katar.

Bashkë me lajmin, mediat izraelite publikuan edhe fotografinë e Hanias nga 1 nëntori, kur ai në televizion bëri thirrje për "zgjidhje politike" të konfliktit me Izraelin. 

Ministri izraelit i mbrojtjes mbrëmë tha se IDF (Forcat Izraelite të Mbrojtjes) vazhdojnë ta sulmojnë fuqishëm Hamasin dhe shumë shpejtë do të fillojnë të veprojnë edhe në jug të Rripit të Gazës. 

Ai shpjegoi se faza e dytë e pushtimit tokësor është duke u zhvilluar dhe se ushtria po vepron edhe në lindje, jo vetëm në veri të Rripit të Gazës, dhe se Hamasi mbetet pa tunele, bunkerë, postblloqe dhe se shumë komandantë të lartë janë vrarë.

Galant vlerësoi se çdo ditë ka gjithnjë e më pak vende ku "terroristët e Hamasit mund të lëvizin" dhe se ata që fshihen në jug, ku IDF nuk ka dërguar ende forca tokësore, "së shpejti do ta ndiejnë atë".

Ministri foli gjithashtu për familjet e pengjeve të rrëmbyera në ditën e parë të sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor dhe të dërguar në Gazë dhe tha se takohet me ta çdo javë dhe se nuk ka prioritet më të lartë se kthimi i tyre.

Galant vlerëson se Hamasi "luan me emocionet e familjeve dhe publikut izraelit, por se kabineti ushtarak është i vendosur që të lirohen pengjet". 

"Ajo që ndodhi më 7 tetor është më e keqe se çdo fenomen tjetër në botë në dekadat e fundit. Është Hamasi dhe Hamasi e kupton vetëm forcën", tha Gallant, duke shtuar se është gjithnjë e më e qartë se vendimi për të shkuar në luftë për të shkatërruar Hamasin dhe për të kthyer pengjet ishte i duhuri. fc/

Fotografia: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR