• e premte, 05 dhjetor 2025

Netanjahu: Është e mundur që një marrëveshje për lirimin e pengjeve të arrihet brenda pak ditësh

Netanjahu: Është e mundur që një marrëveshje për lirimin e pengjeve të arrihet brenda pak ditësh

Tel Aviv, 11 korrik 2025 (MIA) – Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu shfaqi shpresë se gjatë ditëve të ardhshme mund të arrihet marrëveshje me lëvizjen palestineze Hamas për lirimin e pjesës më të madhe të pengjeve izraelite. 

Në intervistë për televizionin amerikan “Njuzmaks”, Netanjahu deklaroi se 50 pengje ende janë në robëri te Hamasi, prej të cilëve supozohet se 20 janë të gjallë. 

“Dua të gjithë t’i kthej në shtëpi. Momentalisht kemi draft-marrëveshje sipas të cilës do të ktheheshin gjysma e të gjallëve dhe gjysma e të vdekurve. Pritet që të kthejmë edhe 10 të gjallë dhe rreth 12 të vdekur, por do t’i kthejmë edhe ata. Shpresojmë se e gjithë kjo do të përfundojë gjatë ditëve të ardhshme”, deklaroi Netanjahu.  

Ai shtoi se Izraeli dhe Hamasi sipas gjitha gjasave do të arrijnë armëpushim 60-ditor, në kohën kur do të zhvillohen bisedime për ndërprerje të përhershme të konfliktit. 

Në ndërkohë, Hamasi njoftoi se mbeten disa pengesa kyçe në bisedimet vijuese, duke përfshirë edhe dërgimin e ndihmës humanitare, tërheqjen e forcave izraelite nga Rripi i Gazës dhe garanci për armëpushim të përhershëm. 

Netanjahu, gjithashtu, deklaroi se pret që Izraeli së shpejti të lidhë marrëveshje paqësore me disa shtete arabe. 

“Fqinjët tanë arabë morën frymë me lehtësim në operacionin tonë ushtarak kundër Iranit. Me disa prej tyre tashmë arritëm paqe, me të tjerë këtë do ta bëjmë së shpejti”, theksoi kryeministri. 

Ai konfirmoi se në momentin e sulmit ndaj objekteve bërthamore iraniane muajin e kaluar, Irani ishte në hap deri në krijimin e bombës bërthamore. Sipas tij, operacioni e shtyu programin iranian për disa vjet. fc/

Foto: Arkivi

 

QËNDRONI TË LIDHUR