• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Ndryshime në qeverinë ukrainase: Zelenski paralajmëron shkarkime dhe emërime të reja

Ndryshime në qeverinë ukrainase: Zelenski paralajmëron shkarkime dhe emërime të reja

Kiev, 4 shtator 2024 (MIA) - Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski paralajmëroi ndryshime kadrovike në Qeveri dhe në kabinetin e tij, transmetojnë mediat ukrainase.

Në video fjalimin e tij të mbrëmjes, Zelenski e sqaroi këtë zgjidhje me nevojën për të forcuar disa elemente të menaxhimit shtetëror. Ky paralajmërim vjen një ditë pasi 51 persona u vranë në një sulm me raketa ruse në një institut ushtarak në qytetin Poltava në verilindje të Ukrainës.

"Vjeshta do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme. Institucionet tona shtetërore duhet të strukturohen në mënyrë që Ukraina të arrijë të gjitha rezultatet e nevojshme", tha Zelenski. Ai shfaqi shpresën për "peshim paksa të ndryshëm të fushave të caktuara të politikës së jashtme dhe të brendshme".

Presidenti i Ukrainës potencoi se është i nevojshëm komunikim më i mirë midis pushtetit qendror dhe bashkësive, veçanërisht në përgatitjen për sezonin e dimrit. Kjo deklaratë është bërë në kuadër të sulmeve ruse ndaj sistemit energjetik të Ukrainës.

Zelenski gjithashtu theksoi se Ukraina tashmë ka arritur rezultate të rëndësishme në prodhimin e mbrojtjes dhe se kjo duhet të forcohet në të gjitha nivelet, duke përfshirë tërheqjen e investimeve partnere në sektorët strategjikë të vendit.

Ai shtoi se është e nevojshme të forcohet bashkëpunimi me NATO-n dhe se kjo kërkon vëmendje të veçantë. Zelenski gjithashtu përmendi rëndësinë e negociatave reale për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe përgatitjen e pjesëve përkatëse të marrëveshjes së ardhshme të anëtarësimit.

"Momenti është t'u japim forcë të re institucioneve shtetërore të Ukrainës", përfundoi Zelenski.

Në Radën Supreme dje janë dorëzuar dorëheqjet e ministrave për industritë strategjike, Oleksandr Kamishin, për drejtësi Denis Malyuska dhe për mbrojtje të Mjedisit jetësor dhe burimeve natyrore Ruslan Strilec, si dhe për zëvendëskryeministren për Evropë dhe Integrimin euroatlantik Olga Stefanishina. Presidenti Zelenski gjithashtu ka shkarkuar edhe zëvendësshefin e zyrës së tij Rostislav Shurma, transmeton Ukrinform.

Uashingtoni është një aleat kyç i Kievit dhe i ka dhënë atij ndihmë ushtarake në vlerë prej dhjetëra miliarda dollarë.

David Arahamia, një deputet me ndikim nga partia e Zelenskit "Shërbëtori i popullit", deklaroi se do të ketë ndryshime të mëdha në qeveri, pas çka më shumë se gjysma e ministrave do të shkarkohen. "Nesër na pret ditë shkarkimesh, ndërsa pasnesër ditë emërimesh", shtoi ai dje.

Ndryshimet në qeverinë ukrainase po ndërmerren në kontekst të ofensivës ruse në pjesën lindore të rajonit të Donjeckut, konkretisht drejt qytetit kyç Pokrovsk.

Që nga fillimi i luftës, presidenti ukrainas ka ndërruar disa herë ministrat, si rasti i shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes për shkak të skandaleve korruptive dhe shkarkimin e komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura për shkak të dështimeve në fushën e betejës.

Mandati i Zelenskit si president skadoi në maj, por ai mbetet në funksion në përputhje me ligjin ushtarak i cili u vendos në Ukrainë pas invazionit rus në shkurt të vitit 2022. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR